
Kallëzim penal ndaj zyrtarit të MPB-së, dyshohet se shfrytëzoi parkingun e Ministrisë për “rent a car”
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë ngritur kallëzim penal në Prokurorinë e Prishtinës ndaj zyrtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme nën dyshimin e kryerjes së veprës penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari R.A. duke përdorur autoritetin zyrtar si zyrtar i lartë për monitorimin e transportit qeveritar në MPB, dyshohet se që nga viti 2020 ka shfrytëzuar parkingun e Ministrisë për veturat e dhëna me qira (“rent a car”).
“Me të pranuar informatën nga një medium publik, Prokuroria Themelore Prishtinë, ka autorizuar policinë për fillimin e hetimeve ndaj këtij të dyshuari. Gjatë punës hetimore, policia ka arritur të sigurojë dëshmi se i dyshuari në vazhdimësie ka kryer ketë vepër penale nga viti 2020. Policia ka gjetur e sekuestruar prova për kryerjen e kësaj vepre”- njofton Prokuroria.
I dyshuari është intervistuar dhe është iniciuar rasti dhe me aktvendim nga prokurori kompetent rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.