Arbërie Nagavci

Kallëzim penal ndaj ministres Nagavci, shkak - subvencionimi i blerjes së librave në vitin shkollor 2023/2024

Deputetët e opozitës të Komisionit hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së librave për nxënësit e arsimit fillor të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024 kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurori Speciale ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, më 12.11.2024.

Deputetët Shemsedin Dreshaj, Ardian Kastrati, Vlora Dumoshi, Bekim Haxhiu e Agim Veliu ishin dorëzuesit e kallëzimit penal ndaj ministres Nagavci.

Deputeti Dreshaj, i cili është edhe kryesues i Komisionit hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së librave për nxënësit e arsimit fillor të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, në një konferencë për media tha se Komisioni ka përmbyllur një proces të intervistimit të palëve në prani të ekspertëve në një raport final.

Këtë raport final të Komisionit ishte planifikuar ta dorëzonin në Kuvendin e Kosovës më 14.11.2024, por sipas Dreshajt, raporti nuk është votuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të Komisionit, pasi nuk kanë marrë pjesë në tri mbledhjet e fundit të këtij Komisioni.

Pasi raporti final nuk është votuar nga të gjithë anëtarët e Komisionit hetimor paralamentar, deputetët e opozitës të Komisionit kanë vlerësuar ta dërgojnë atë në Prokurori Speciale.

“Ky proces është përmbyllë me një raport final, i cili ka mjaft të gjetura të shkeljes procedurale, shkeljeve ligjore dhe ka bazë për hetim të mëtejm prokurorial lidhur me përgjegjësinë e individëve që janë marrë me këtë proces [të subvencionimit të blerjes së librave]” – ka deklaruar Dreshaj, më 12.11.2024.

Gjatë konferencës për media, deputeti Ardian Kastrati ka shfaqur një dosje me dokumente, të cilës i është referuar si raport i hartuar nga ekspertët e Komisionit hetimor parlamentar që kanë qenë të rekrutuar, të zgjedhur dhe votuar nga ta.

Deputeti Kastrati tha se ka keqmenaxhim dhe ka keqplanifikim në procesin e subvencionimit të blerjes së librave vitin e kaluar dhe si rrjedhojë ka përmendur se shumë nxënës nuk i kanë marrë librat deri në fund të vitit shkollor 2023/2024.

“Përveç kësaj, është ndiku edhe në transaksione të ndryshme ku ka mundësi që dikush i ka marrë të hollat që jeton jashtë shtetit, për shkak që është ikë Kosova dhe nuk i ka fëmijët fare këtu në shkollë ose plotë të tillë nxënës s’i kanë marrë të hollat nga subvencioni fare” – ka thënë Kastrati.

Kastrati pretendon se ka pasur transfer të linjave buxhetore nga Ministria e Arsimit për buxhetin për subvencionim të blerjes së librave në vitin shkollor 2023/2024.

“Kjo është ndiku edhe me transfer të linjave buxhetore, si p.sh siç është nga digjitalizimi, i cili është cilësuar si shtylla e reformës në Arsim e për të cilën shumë ka trumpetuar Nagavci për atë reformë dhe për atë digjitalizim, e tjera, tjera. Por, mbi të gjitha janë dy pasoja kryesore, të cilat për mua konsumojnë edhe elemente të veprës penale – e para është që në Komisionin hetimor ata nuk kanë arritë me justifiku ose arsyetu se ku kanë mbetë 6 milionë euro diferencë, pra nga 4 milionë të planifikuara, ata i kanë hargju 11 milionë e diçka në vitin e kaluar” – ka shtuar Kastrati.

Sipas Kastratit, përveç ministres Nagavci si udhëheqëse e procesit të subvencionimit të librave, po ashtu edhe ministri i Financave, Hekuran Murati si përgjegjës që i ka shpërndarë financat për këtë proces, edhe kryeministri Albin Kurti, duhet të rrëfehen te Prokuroria Speciale. 

Në një bisedë për KALLXO.com, deputeti Bekim Haxhiu e ka konfirmuar se përmes adresës elektronike të gjithë anëtarët e Komsionit hetimor parlamentar e kanë pranuar raportin final të hartuar nga ekspertët.

Kur u pyet se a i kanë intervistuar të gjithë personat që kishin planifikuar në lidhje me procesin e subvencionimit të blerjes së librave, Haxhiu tha se dy prej zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit nuk janë intervistuar.

Sipas Haxhiut, sekretarja e Ministrisë së Arsimit, Fadile Dyla e kishte shtyrë vazhdimisht intervistimin duke thënë se ishte jashtë vendit, kurse drejtori i Arsimit Parauninversitar në Ministri të Arsimit, Avni Rexha e kishte konfirmuar njëherë që do shkonte për t’u intervistuar, por sipas Haxhiut s’kanë pasur kuorum, sepse nuk kanë qenë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit për kallëzimin penal që është ngritur ndaj ministres Nagavci, por deri në publikimin e artikullit ka pranuar përgjigje vetëm nga drejtori Rexha në lidhje me mosintervistimin e tij nga Komisioni hetimor parlamentar.

Rexha ka thënë se në të gjitha ftesat e dërguara nga administrata e Komisionit hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së librave për nxënësit e arsimit fillor të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, ishte informuar se takimet janë anuluar për shkak të kuorumit.

Rexha ka njoftuar se kishte pranuar ftesa për intervistim nga Komisioni hetimor parlamentar më 09.10.2024, 18.10.2024, 25.10.2024 dhe 08.11.2024.

“Përveç ftesës së datës 01.11.2024, ku ju kam informuar se gjendem në vizitë zyrtare jashtë vendit më datat: 01-03 nëntor 2024. Por kam konfirmuar gadishmërinë për dëshmi (pra i gatshëm të dëshmoj sipas legjislacionit në fuqi)” – është përgjigjur Rexha, më 12.11.2024.

Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së librave përbëhej nga: Shemsedin Dreshaj (kryesues), Ardian Kastrati (zëvendëskryesues) dhe anëtarët – Armend Muja, Arjeta Fejza, Mefail Bajqinovci, Mirlinda Tishukaj- Sadiku, Arbër Rexhaj, Bekim Haxhiu, Vlora Dumoshi, Agim Veliu, Duda Balje.

KALLXO.com ka raportuar për intervistimin e disa drejtorëve komunalë të Arsimit dhe zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit në Komision hetimor parlamentar, në cilësinë e dëshmitarëve për procesin e subvencionimit të blerjes së librave.

Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 21.08.2023 kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova me qëllim të rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike.

Nagavci më 13.08.2024 në një konferencë për media deklaroi se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor, 2023/2024.

Më 06.09.2024, KALLXO.com ka raportuar se Ministria e Arsimit i ka ndarë 20,418,670 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

Këtë e kishte konfirmuar për KALLXO.com, udhëheqësi i divizionit për buxhet dhe financa në Ministri të Arsimit, Fehmi Zylfiu.

“Buxheti i ndarë nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere në vlerë prej 20,418,670.00€ për vitin shkollor 2024/25” – ishte përgjigjur Zylfiu, më 06.09.2024.

Në krahasim me vitin shkollor 2023/2024, Ministria e Arsimit i ka ndarë 8,167,220 euro më shumë këtë vit për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore.

KALLXO.com e kishte pyetur Zylfiun edhe për buxhetin e shpenzuar për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024.

“Buxheti i ndarë nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere në vlerë prej 12,251,450.00€ për vitin shkollor 2023/24” – kishte thënë Zylfiu.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, më 15.08.2024.