Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kallëzim penal ndaj kryetarit të Vushtrrisë, flet Ferit Idrizi

Lëvizja Vetëvendosje dega në Vushtrri ka dorëzuar Kallëzim Penal ndaj kryetarit të Komunës, Ferit Idrizi, pas anulimit të konkursit për drejtor të pesë shkollave në këtë komunë.

“Të dashur qytetarë të Komunës së Vushtrrisë sot më 18.07.2022, Grupi i Asambleistëve tanë në Kuvendin Komunal ka ushtruar Kallëzim Penal për Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar ndaj kryetarit të komunës z. Ferit Idrizi në lidhje me anulimin e konkursit për drejtor të shkollave”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi u shpreh ‘mirënjohës’ ndaj këtij kallëzimi penal pasi sipas tij kështu mund të sqarohet drejtësia.

“Mirë është që e kanë bo, bash po më vjen mirë me e pa qytetarët edhe mediat edhe prokuroria kush po lufton parregullsitë edhe nepotizmin edhe familjarizimin. Njëri nga kandidatët që nuk është përzgjedh e ka ushtru atë detyrë për më shumë se 10 vite dhe e ka pas përformancën e mirë ndërkaq e kanë përzgjedh kandidaten tjetër që është edhe gruja e mikut tim. Tash, unë me pas zgjedh grujen e mikut, po e largon një kandidat që për 10 vite ka qënë, mendoj që nuk është e ndershme. Kandidati tjetër, Afrim Namani që ka qenë drejtor i DKA-së dhe ka pas një përformancës nuk po zgjidhet, e po zgjidhet një kandidat tjetër nuk është në rregull. Është ndërru pushteti tash, nuk janë këto gjëra. Kandidati tjetër në shkollën, ‘Anton Zako Çajupi’ që është përzgjedh nga komisioni është kryetar i sindikatës, ai është dashtë me pezullu vendin e punës në sindikatë. Kur i kam marrë parasysh të gjitha këto e kam pa që ka pas subjektivizëm dhe është marrë vendim që me anulu atë konkurs”, tha ai për KALLXO.com

Vetëvendosje ka akuzuar kryetarin Idrizi edhe për pamundësim të mbajtjes së seancës së Kuvendit Komunal për këtë çështje.

Kryetari Idrizi e quajti të pavërtetë akuzën e LVV-së duke thënë se nuk ‘ i ik’ debatit.

“Beso që është e pavërtetë ata kanë thirrë seancë të jashtëzakonshme mirëpo kur kena shku në seancë nuk kanë mundur me miratu rendin e ditës, cila është arsyeja që me mu gjujt mu. Në seancën tjetër unë kam qenë në vizitë në Francë, nuk i iki debatit, nuk ka pas seancë tjetër”, tha ai.

KALLXO.com ka raportuar për anulimin e konkursit për pesë drejtor të shkollave në Vushtrri.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se kjo është bërë pasi komisioni nuk e ka kryer punën konform udhëzimit dhe ka vlerësuar njëanshëm.

Pozitat ishin të shpallura për shkollat e mesme të ulëta në Vushtrri.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në prokurori gjatë muajit qershor nëse kanë nisur hetime për rastin e njëjtë.

Zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni ka thënë për KALLXO.com se deri në atë kohë nuk kanë nisur hetime për anulimin e konkursit për drejtor të shkollave në Vushtrri.

Dyshimet në punën e Komisionit, Komuna e Vushtrrisë anulon konkursin për drejtorë të shkollave