Ilustrim: Kallxo.com

Kallëzim penal ndaj Kristë Gjokajt dhe pesë policëve tjerë

Prokuroria e Gjakovës ka pranuar kallëzimin penal për Kristë Gjokajn dhe 5 zyrtarët tjerë policorë.

Këtë e konfirmoi Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjakovës, Ali Selimaj.

“Po, kemi pranuar kallëzimin penal ndaj Kristë Gjokajt dhe zyrtarëve të tjerë, ku në këtë rast kam kërkuar edhe përjashtimin e Prokurorisë së Gjakovës”- tha Selimaj për Kallxo.com

Komandanti Kristë Gjokaj bashkë me policët Gëzim Biblekaj, Bekim Preqi, Agron Idrizaj, Milot Ukaj e Shaban Limani, sot kanë filluar ditën e parë të punës pas suspendimit të tyre nga ana e Inspektoriatit Policor të Kosovës.

Kujtojmë se muajin e kaluar, të njëjtit ishin suspenduar nën dyshimin se kishin ushtruar dhunë nga të dyshuari për grabitje të ndodhur vitin e kaluar.

Kallxo.com kishte raportuar për gjendjen e të dyshuarit për grabitje kur ai kishte dalë para Gjykatës në Gjakovë.

Lidhur me suspendimin e tyre, qytetarët e Gjakovës kanë mbajtur një protestë paqësore për kthimin e tyre në detyrë.

Pas 10 muajsh nga kjo ngjarje Inspektoriati Policor i Kosovës, kishte suspenduar përkohësisht gjashtë zyrtarë të Policisë së Gjakovës.

Suspendimet në Gjakovë: Kamerat e Policisë filmuan dhunën mbi të dyshuarin në stacion