Foto: Kaja Kallas / X
Kallas pas takimeve me Kurtin e Vuçiqin: E mirëprita gatishmërinë për të bashkëpunuar pas sulmit të fundit terrorist
Pas takimeve që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, tha se ka mirëpritur gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht pas sulmit të fundit terrorist të ndodhur në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Autorët duhet të përballen me drejtësinë” – ka shtuar ajo në një postim në rrjetin social “X”.
Kallas po ashtu ka thënë se rruga e vetme për anëtarësim në BE është normalizimi i marrëdhënieve bazuar në marrëveshjen e Ohrit.
I met @avucic and @albinkurti today.
The only way to EU membership is through normalisation of their relations, on the basis of the Ohrid agreement.
I welcomed the readiness to fully cooperate after the recent terrorist attack. Perpetrators must face justice. pic.twitter.com/SRChOiwPb2
— Kaja Kallas (@kajakallas) December 3, 2024
Kurti tha pas takimit se me Kallasin ka diskutuar për çështjen e integrimit europian të Kosovës dhe për raportet me Serbinë fqinje, teksa tha se Kallas është “në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”.
“Nga liderët që ka Europa sot, besoj se zonja Kallas është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova që rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave europiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi” – tha Kurti pas takimit.
Ndërsa, Vuçiq deklaroi se me shefen e re të diplomacisë së BE-së ka zhvilluar bisedë të “hapur dhe të vështirë”.
Këto takime dypalëshe nuk janë pjesë e dialogut për normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.
Vuçiq shkroi në “Instagram” se Kallas foli për domosdoshmërinë e dialogut me Kosovën, “zgjidhjen e rastit të Banjskës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.
Ndërsa ka thënë se ai është përgjigjur në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë.
Takimet e Kallas me krerët e Kosovës dhe Serbisë mbahen disa ditë pas një shpërthimi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, në veri të Kosovës.
Kosova ka fajësuar Serbinë për shpërthimin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do të hetojë këtë rast.
Shpërthimi që ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër- epencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si sulm terrorist.
Bashkimi Europian e ka cilësuar sulmin e 29 nëntorit në Zubin Potok “akt terrorist” dhe “sabotues” të infrastrukturës kritike të Kosovës.
Gjykata e Prishtinës ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit Jovan Viqentijeviq lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, më 29.11.2024.
Ndërkaq, me 02.12.2024, Policia e Kosovës bëri të ditur se më 01.02.2024 ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit.
Për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.