
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas. Foto: Parlamenti Europian
Kallas mirëpret emisarin e ri të dialogut Kosovë - Serbi: Na pret një punë e rëndësishme
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka mirëpritur të dërguarin e ri të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen.
Kallas ka thënë se i pret një punë e rëndësishme.
Ndërsa ka shtuar se normalizimi i plotë i marrëdhënieve është mënyra e vetme për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE.
“Unë e mirëpres ngrohtësisht Peter Sorensen si të dërguarin BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Na pret një punë e rëndësishme. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve është mënyra e vetme për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE. Faleminderit për përpjekjet tuaja Miroslav Lajcak. Puna e bërë shërben si bazë për riangazhimin”- ka shkruar ajo në rrjetin social “X”.
I warmly welcome Peter Sørensen as my @EUSR_Dialogue.
There is important work ahead of us. Full normalisation of relations is only way for Kosovo and Serbia to join the EU.
Thank you for your efforts @MiroslavLajcak! Work done serves as basis to reengagement.
— Kaja Kallas (@kajakallas) February 3, 2025
Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, është konfirmuar nga ambasadorët e Bashkimit Europian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sorensen është zgjedhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë pozitë.
Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së.
Ai aktualisht është këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.
Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, ku ka punuar në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse kryediplomatja Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.