Kallas dhe Kos për Zgjedhjet e 9 shkurtit: Kosova ka treguar përkushtim ndaj parimeve demokratike

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas dhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë vlerësuar se procesi i përgjithshëm i Zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë ka treguar qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj parimeve demokratike.

Sipas tyre, Bashkimi Europian pret formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re kosovare për të vazhduar angazhimin me autoritetet vendëse, me synimin për të mbështetur Kosovën.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të angazhohen në bashkëpunim të përgjegjshëm rajonal dhe të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.” – thuhet në deklaratën e publikuar, më 11.02.2025.

Kallas dhe Kos kanë deklaruar se progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është e vetmja mënyrë që Kosova të arrijë progres në rrugën e saj evropiane.

“Kosova pritet të zbatojë obligimet e saj që dalin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, si dhe të gjitha Marrëveshjet e kaluara të Dialogut, pa vonesa apo parakushte të mëtejshme. Nuk ka alternativë për Dialogun e lehtësuar nga BE. Kosova ka dorëzuar një aplikim për anëtarësim në BE, në dhjetor 2022. Komisioni mbetet i disponueshëm për të përgatitur një Opinion për aplikimin për anëtarësim të Kosovës, sapo ta kërkojë Këshilli.” – përfundon deklarata e përfaqësuesve të BE-së.

Kosova ka mbajtur Zgjedhjet, më 09.02.2025, për të zgjedhur Kuvendin dhe Qeverinë e re.

Pas numërimit të 99% të votave, Lëvizja Vetëvendosje mori më së shumti vota, me 40.86%, duke siguruar 47 nga 120 ulëset e Kuvendit, por që nuk janë të mjaftueshme për të formuar Qeverinë si e vetme.

E dyta, sipas rezultateve preliminare, renditet Partia Demokratike e Kosovës. Me 22.04% të votave, kjo parti pritet t’i ketë 25 deputetë. Me 17.62% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës parashihet të ketë 20 deputetë. Ndërsa, kalicioni AAK-Nisma me 7.45% të votave pritet t’i ketë 8 deputetë.