Kalimi i Festivalit DokuFest në transmetim virtual

Edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest ka ndërruar mënyrën e shfaqjes për shkak të pandemisë.

Nga forma tradicionale e organizimit, COVID-19 ka bërë që ky festival të ndërroj format duke e shpalosur programin artistik nga ekrani në ekran.

Veton Nurkollari, drejtor i DokuFest tha për KALLXO.com se zhvendosja në format virtual të një festivali të Kosovës për herë të parë në Ballkan po ka edhe pengesa dhe probleme.

“Kalimi në format virtual, edhepse jo pa pengesa dhe pa probleme, disa prej të cilave plotësishtë të panjohura për neve, sikur ajo me mungesën e IP adresave në Kosovë, ishte më i lehtë se parashikimet e para. Kjo sidomos duke pasur parasysh që kjo është hera e pare për neve dhe për një festival të filmit në Kosovë dhe në Ballkan të zhvendos tërë programin në sferën virtuale”, tha Nurkollari.

Nurkollari tha se për  shak të disa kufizimeve të portalit online dhe kostove tejet të mëdha në rast të vendosjes së komplet programit artistik çfarë e karakterizonte DokuFest-in viteve të fundit, ata kanë vendosur për një program më modest artistik dhe në numra.

“Por mendojmë se edhe në këtë format dhe madhësi program artistik i festivalit është në përputhje me kohën dhe situatën”, tha ai.

Sipas tij, festivalet mund të mbahen suksesshëm edhe në këtë mënyrë veç se duhet një angazhim shtesë dhe një ekip i cili është në gjendje të shtyej përpara gjërat e reja.

“Ne besojmë që, përkundër kohës së shkurtër, ia kemi arritur te sjellim nje edicion të realizuar mirë edhe ne formatin virtual”, tha ai.

Janë 90 filma nga 51 vende të ndryshme të botës të cilët janë pjesë e programit garues të  DokuFest-it këtë vit.

Edicioni sivjetëm ka filluar me 7 gusht dhe do vazhdoj deri më 25 gusht.

I gjithë programi i këtij edicioni po shfaqet në mënyrë digjitale për shkak të coronavirusit, në bashkëpunim me Festival Scope dhe Shift72.