Shkolla ‘Besëlidhja’ në Lezhë : Foto : Elvis Hila

Kaldajat jashtë funksionit lënë në të ftohtë nxënësit në shkollat e Lezhës

Godina e Gjimnazit “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës u ndërtua e re në vitin 2012, nëpërmjet një investimi që u financua nga Banka Botërore dhe qeveria shqiptare. Shkolla përfshinte edhe një sistem ngrohje qendrore, por pas 8 vjetësh kaldaja nuk është vënë asnjë ditë në punë.

“Kaldaja në shkollën tonë nuk është vënë asnjëherë në funksion. Nuk e dimë arsyen, pasi ajo është pjesë e bashkisë. Punonjësit kanë ardhur disa herë dhe kanë tentuar për ta rregulluar, por nuk kanë mundur” tha Yllka Çuko Drejtoreshë e Gjimnazit “Hydajet Lezha”

Gjimnazi nuk është e vetmja shkollë që ka probleme. E njëjta situatë është edhe shkollat 9-vjeçare “Nëne Tereza” e ndërtuar në vitin 2008 dhe në shkollën “Bësëlidhja” e ndërtuar në vitin 2012. Kaldaja e kësaj të fundit është ndezur pas 8 vjetësh, por nxënësit i thanë BIRN se ajo vihej shumë rrallë në punë dhe nuk ngrohte.

Situata përsëritet vit pas viti dhe me gjithë ankesën e nxënësve dhe prindërve, kaldajat ose nuk punojnë ose ndizen shumë rrallë.

Bashkia e Lezhës dhe zyra arsimore aty pranuan për BIRN gjendjen, por thanë se nuk kishin mundur t’i jepnin zgjidhje problemit. Probleme me ngrohjen me kaldaja në shkolla janë raportuar edhe në qytete të tjera të vendit, përfshi Tiranën, ndërsa në një rast në Bulqizë keqfunksioni i kaldajës, instaluar përmes një procesi kontravers, solli helmimin e gjimnazistëve në Shupenzë.

“Shkollat e reja që janë ndërtuar vitet e fundit kanë sistem qendror ngrohjeje. Por që në tre prej tyre nuk ka funksionuar asnjëherë”, i tha BIRN Elson Frroku, Drejtor për Arsimin në Bashkinë e Lezhës. Frroku, pretendoi se prej 4-5 muajsh po përpiqeshin të vini në punë sistemin dhe kishin arritur të ndiznin kaldajën e shkollës “Besëlidhja”, por jo ato të dy shkollave të tjera.

Problematika sillet në vëmendje çdo dimër, kur temperaturat ulen në disa ditë edhe nën zero dhe përballimi i të ftohtit në këto ambiente është një sfidë me vete për nxënësit dhe stafin petagogjik të kësaj shkolle.

“Unë jam në klasën e 11 dhe brenda ambienteve të shkollës është shumë ftohtë. Ka kalorifera në mur, por ata nuk janë vendosur në funksion asnjëherë të paktën tash dy vite që mësoj unë në këtë shkollë”, i tha BIRN një prej nxënësve të gjimnazit “Hydajet Lezha”.  Gjimnazi i cili u inaugurua nga ish-kryeministri Sali Berisha në vitin 2012, u cilësua atëherë si një nga shkollat model me kushte të standardeve europiane.

Nxënësit thonë se janë të detyruar të vishen trashë dhe të qëndrojnë të mbërthyer në klasë. “Është e vështirë për t’i bërë ballë të ftohtit”, tha nxënësi i klasës së 11.

Nxënësit në të tre shkollat siç mësoi BIRN kanë blerë dhe vendosur rezistenca korenti, por kjo nuk konsiderohet zgjidhje dhe nuk ofron ngrohej për të gjithë klasën.

“Këto ditë ka qenë shumë ftohtë dhe mjediset e shkollës tonë janë akull, pasi nuk funksionon sistemi i ngrohjes. Me kontributin e të gjithë klasës kemi blerë një rezistence me korrent dhe e kemi vendosur në hyrje të klasës. Të them të drejtën klasa ngrohet shumë pak sepse është e madhe”, tha një nxënëse tjetër e gjimnazit.

Fëmijët që mësojnë në shkollën 9-vjeçare Besëlidhja, ku kaldajat janë ndezur disa herë tregojnë se megjithë vënien në punë mjediset janë të ftohta. Një nga fëmijët tha se ata visheshin sa më trashë dhe kjo ishte e vetmja mënyrë për tu ngrohur.

“U gëzuam kur ndezën sistemin e ngrohjes kur nisëm ditën e parë të mësimit këtë vit dhe shpresuam që problemi tani ka marrë zgjidhje. Por atë e ndezin shumë rrallë, nuk e dimë pse”, tha një nxënës i klasës së shtatë.

Nxënësit thonë se edhe në këtë shkollë klasat kanë rezistenca dhe ngrohen me radhë, tre e nga tre afër saj, pasi ajo nuk e ngroh asnjëherë të gjithë klasën.

Zyra Arsimit Parauniversitar në Lezhë pretendon se ka kërkuar çdo vit sigurimin e ngrohjes për të tre godinat.

“Problem janë vetëm shkollat e qytetit, shumica prej të cilave e kanë sistemin e ngrohjes me kaldaja. Në vazhdimësi bashkia, duke përfshirë edhe këtë vit ka bërë përpjekje për t’i vënë në funksion, por ata kanë specifikat e veta”, tha Luan Dalipi, Drejtor i Zyrës së Arsimit Lezhë.

Dalipi pranoi se kjo ndikon në procesin mësimor, por tha se ky i fundit ka vijuar normalisht dhe nuk kishte marrë deri tani ndonjë ankesë.

Ndërkohë Bashkia e Lezhës pretendoi se po përpiqej të gjente zgjidhje. Ajo tha se kishte arritur të vinte në punë një nga kaldajat, por në dy shkollat e tjera nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje të qëndrueshme.

“Sistemi i ngrohjes në gjimnazin “Hydajet Lezha” nuk ka funksionuar që nga instalimi i në vitin 2012. Kjo nga fakti se në momentin që është ndërtuar nuk ka funksionuar sepse është me defekt sistemi i shpërndarjes”, tha Elson Frroku, por pa thënë nëse ishte menduar ndonjë zgjidhje nga bashkia, përveç asaj me rezistenca të vogla të siguruara nga paratë e nxënësve. (reporter.al)