Kalaja shekullore e Gaziantepit është dëmtuar rëndë pas tërmetit në Turqi

Kalaja e Gaziantepit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Turqi, është dëmtuar rëndë pas një tërmeti të fuqishëm dhe pas goditjeve që tronditën jugun e Turqisë të hënën në mëngjes.

“Disa nga bastionet në pjesët lindore, jugore dhe juglindore të Kalasë historike të Gaziantepit në rrethin qendror të Şahinbeut u shkatërruan nga tërmeti, mbeturinat u shpërndanë në rrugë”, raporton agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu.

Kangjellat prej hekuri rreth kalasë janë të shpërndara në trotuaret përreth. U shemb edhe muri mbajtës pranë kalasë. Në disa bastione vërehen çarje të mëdha.

Kupola dhe muri lindor i xhamisë historike Shirvani, e cila ndodhet pranë kështjellës dhe thuhet se është ndërtuar në shekullin e 17-të, gjithashtu u shemb pjesërisht, shtoi raporti nga Anadolu.

Sipas gërmimeve arkeologjike, kalaja e Gaziantepit u ndërtua për herë të parë si kullë vrojtimi në periudhën romake në shekujt II-IV të erës sonë dhe u zgjerua me kalimin e kohës.

Ajo mori formën e saj aktuale midis viteve 527-565 pas Krishtit gjatë periudhës së perandorit bizantin Justiniani I, sipas Muzeumeve Turke, linku zyrtar i muzeve dhe vendeve arkeologjike në vend./CNN