Kalaja në Vushtrri | Foto: KALLXO.com

Kalaja e Vushtrrisë Qëndron e Mbyllur për Mungesë të Çelësave

Kalaja e qytetit të Vushtrrisë që nga ndërrimi i qeverisjes  po qëndron e mbyllur.

Mbyllja e kalasë ka ndodhur për shkak se qeverisja e kaluar me përfundimin e mandatit të saj ka dorëzuar çelësat në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve.

Kërkesa për marrjen e çelësave nga komuna e Vushtrrisë është dërguar dy ditë më parë.

Fatmire Cecelia drejtoreshë për Kulturë Rini dhe Sport  në Komunën e Vushtrrisë tha për KALLXO.com se çelësat e kalasë së qytetit gjenden në Institutin e Mbrojtjes së Monumenteve dhe po presin përgjigje për marrjen e tyre.

“Kemi dërguar dje kërkesën në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve, për marrjen e çelësave të kalasë së qytetit dhe po presim përgjigje nga ta”, tha Cecelia.

Ajo shtoi se pasi të merren çelësat nga Instituti, në kala do të fillojnë aktivitetet siç janë mbajtur edhe më herët.

Kjo vonesë ka ndodhur pasi që drejtoresha për kulturë rini dhe sport në Vushtrri ka marrë me vonesë detyrën e saj, pasi që drejtoresha e parë që ishte zgjedhur ishte liruar nga detyra.

http://kallxo.com/nuk-paraqitet-ne-pune-kryetari-liron-nga-detyra-drejtoreshen-e-kultures/

Por drejtoresha e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Ardiana Qorraj tha për KALLXO.com se ky institut në Prishtinë nuk ka pranuar asnjë kërkesë për shfrytëzimin e kalasë dhe marrjen e çelësave, të paktën deri më tani.

“Në Institutin tonë në Prishtinë ende nuk e kemi pranuar asnjë kërkesë nga Komuna e Vushtrrisë për marrjen e çelësave. Pas rastit kur kalaja tentoi të shndërrohej në restorant, çelësat i kemi dhënë me kusht për zhvillimin e aktiviteteve, por pas përfundimit të mandatit janë dorëzuar në Institut”, tha Qorraj.

Ajo deklaroi se instituti ka pritur që të zgjidhet drejtori i ri në Vushtrri për t’ia dhënë çelësa që kalaja të mos qëndrojë e mbyllur.

Në korrik të vitit të kaluar Gazeta jeta në Kosovë shkroi se si një të afërmi të atëherë kryetarit të Vushtrrisë Bajram Mulaku i ishte dhënë në shfrytëzim një pjesë e kalasë për t’u shndërruar në restorant, por më pas kjo gjë nuk kishte ndodhur pas reagimeve.

Daja i Kryetarit Mulaku Merr në Shfrytëzim Kalanë e Vushtrrisë

Ish- drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë Shpresa Rama tha për KALLXO.com se çelësat e Kalasë së Vushtrrisë me përfundimin e detyrës së saj si drejtoreshë janë dorëzuar në Institutin për Mbrojtje të Monumenteve sepse ata janë pronarë të saj.

Ajo shtoi se prej datës 8 korrik deri më 11 shtator kalaja ka qëndruar e mbyllur për shkak të kontestit për shëndrrimin e saj në restorant, ndërsa ditëve të tjera kalaja ka mbajtur 2-3 aktivitete gjatë ditës.

“Ka qenë vazhdimisht e hapur. Janë mbajtur dy ose tri aktivitete brenda ditës të cilat janë organizuar nga organizata të ndryshme dhe shkollat e Vushtrrisë”, tha Rama.

Rama tha se  nga dita kur është rihapur Kalaja e Vjetër e Vushtrrisë për vizitorë dhe aktivitete të ndryshme kulturore, përkatësisht në periudhën 11 shtator – 18 nëntor 2017, këtë monument e kanë vizituar mbi 10370 persona.