Foto: KFOR/Facebook

Kajari: Do të ndjek rrugën e pasardhësve në KFOR

Komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Ferenc Kajari, ka thënë se misioni i aleancës Veri-Atlantike në Kosovë është misioni më i gjatë dhe më i suksesshmi. Sipas tij, KFOR-i ofron paqe, siguri e stabilitet për Ballkanin Perëndimor.

Gjeneralmajori nga Hungaria e ka pranuar detyrën e komandantit të KFOR-it nga gjeneralmajori i ushtrisë italiane, komandanti i deritanishëm Franco Federici dhe është zotuar se do të vazhdojë rrugën e paraardhësve të tij.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, gjeneralmajor Kajari është zotuar se do t’i udhëheq trupat në mënyrë transparente.

“Suksesi i KFOR-it qëndron nga mbështetja e vazhdueshme e kombeve kontribuuese. Unë jam mirënjohës për këtë përkushtim dhe angazhim, dhe premtoj se do t’i udhëheq trupat në mënyrë transparente, në mënyrë që të arrihen qëllimet e dëshiruara të përcaktuara nga autoritetet e NATO-s. Bashkë me ushtarë të KFOR-it, hartuesit dhe punonjës civilë, besoj se çdo operacion ushtarak kërkon detyrë, besueshmëri dhe përkushtim nga ata që shërbejnë. Unë i konsideroj këto vlera vendimtare edhe për KFOR-in. Unë zotohem të ndjek rrugën që paraardhësit e mi të jashtëzakonshëm ndoqën në vitet e fundit. Unë e konsideroj si detyrë që ta udhëheq KFOR-in në këtë rrugë për të ruajtur besueshmërinë, duke përmbushur misionin, dhe për të mbetur i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin e mëtejshëm në Kosovë. Unë ju premtoj se do të bëj më të mirën time çdo ditë, dhe pres që ju të bëni të njëjtën gjë. Përkushtimi dhe fokusi juaj janë thelbësore në përmbushjen e misionit tonë. Mezi pres të jem me ju në terren, dhe të përballoj sfidat e KFOR-it së bashku me ju”, ka thënë komandanti i KFOR-it.

E komandanti i deritanishëm Franco Frederici ka thënë se ka qenë privilegj të jetë komandant i pjesëtarëve të KFOR-it që shërbejnë në Kosovë.

“Pothuajse një vit më parë, komanda e KFOR-it ka pasur njëmbëdhjetë muaj intensivë dhe pandemia Covid-19 shtoi një sërë sfidash shtesë. E mora këtë detyrë duke e ditur mirë përgjegjësinë e madhe që vinte me të. Unë u përpoqa t’i kryej detyrat e mia me përkushtim dhe paanësi maksimale. Unë besoj, se kam qenë në gjendje të përmbush detyrat e dhëna nga zinxhiri im komandues dhe ato që kam parashikuar për qëndrimin tim, gjithmonë për interesin e vetëm të NATO-s, KFOR -it dhe stabilitetin e këtij rajoni. Nuk mund ta lë pa thënë se nuk do të isha në gjendje ta menaxhoja vetëm këtë. Sinqerisht ndiej detyrimin të falënderoj njerëzit që më kanë mbështetur gjatë këtij udhëtimi”, ka thënë Federici.

Ndërsa Admirali Robert Burke ka thënë se roli i KFOR-it në mbështetje të paqes dhe sigurisë mbetët dinamik.

“KFOR -i sot mbetet si operacioni më afatgjatë i NATO -s, por roli i tij në mbështetjen e paqes dhe sigurisë është po aq dinamik siç ka qenë gjithmonë. KFOR është vetëm një pjesë e një përpjekjeje edhe më të madhe. Për më shumë se 22 vjet NATO ka qenë pjesë përbërëse e ekipit të gjerë të Komunitetit Ndërkombëtar që punon për të arritur qëllimet tona të përbashkëta me popullin e Kosovës. Forcat e NATO -s vazhdojnë të punojnë së bashku me institucionet e Kosovës, Bashkimin Evropian, organizatën për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë dhe Kombet e Bashkuara. Ne të gjithë mbetemi të vendosur për të vazhduar mbështetjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Dhe nuk mund të jem më krenar se kaq për atë që ka arritur ky ekip dhe paraardhësit e tij. Sepse sot Kosova është më e sigurt dhe më e qëndrueshme sesa kur filloi Misioni i NATO -s”, ka thënë ai.

Pas ceremonisë së ndërrimit të komandës, komandanti i KFOR-it ka pasur një adresim të shkurtë për mediat.

“Është një privilegj i veçantë të marrësh komandën e KFOR-it, që është mund të them operacioni më i gjatë i NATO-s, dhe pa dyshim më i suksesshmi, duke siguruar paqe, siguri dhe stabilitet për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu më duhet të pranoj se tashmë e ndiej barrën që vjen me komandimin e një organizate kaq të madhe. Gjatë përgatitjes sime mësova se KFOR-i është organizata ndërkombëtare më e vlerësuar në rajon, dhe gjatë gjithë ekzistencës së KFOR-it që nga viti 1999, ajo fitoi respektin dhe mirënjohjen e të gjitha palëve këtu në Kosovë, si një forcë e paanshme, e aftë, dhe e sigurisë”, ka thënë Kajari.

Kjo është hera e parë që komandant i KFOR-it në Kosovë emërohet një gjeneral nga Hungaria.

Në Kosovë aktualisht shërbejnë rreth 4 mijë ushtarë të KFOR-it, në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Mandati i KFOR-it vjen nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, miratuar në vitin 1999./Rtklive