Arkiv

Kafshë e pajisje të ndryshme kapen në tentim për kontrabandë

Vetëm në 24 orët e fundit, në raporti e Policisë së Kosovës janë regjistruar tri raste të kontrabandës me mallra në Kosovë.

Rasti i parë është raportuar mëngjesin e ditës së djeshme në Gjilan, kur njësia patrulluese ka ndaluar një kombi, të cilën e drejtonte i dyshuari.

Sipas policisë, i njëjti po transportonte një gjedh pa dokumente përcjellëse.

Në lidhje me këtë rast është njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe prokurori.

Rasti i dytë është raportuar rreth orës 15:20, po ashtu në Gjilan.

Policia ka njoftuar se ka ndaluar një veturë, të cilën e drejtonte një shtetas i Serbisë, dhe i njëjti po transportonte pajisje për nxehje qendrore pa dokumente përcjellëse.

Me vendim të prokurorit, malli dhe vetura janë konfiskuar, dhe rasti shkon në procedurë të rregullt .

Rasti i fundit i kontrabandës me mallra është raportuar se ka ndodhur në fshatin Cerkolez të Istogut, kur rreth orës 22:00, policia ka ndaluar një kamion në të cilën drejtuesi kishte të ngarkuara katër gjedhe, për të cilat nuk posedonte dokumente përkatëse.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe zyrtari i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa gjedhet i janë sekuestruar.