Kadrijaj-Qeverisë: Përvishjuni punës se sa për program, është mision i pamundur

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës – Prezantimin e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025.

Programi i prezantuar nga kryeministri Albin Kurti ka ngjallur diskutime e kritika nga deputetët opozitar.

Në mesin e subjekteve politike që kritikuan programin qeverisës është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka kërkuar sqarime për një varg premtime të dhëna nga kryeministri Kurti, për të ditur se si do të trajtohen ato.

“Si do të realizohen shtesat për fëmijë, përkrahja e gruas pa ndonjë plan. Vaksinimi i 60% të popullatës, si do të arrish që me ndihma nga vendet e tjera, a po llogaritë që kemi vaksinim e më pas kemi ri-vaksinim dhe këto vaksina nuk do të mjaftojnë sepse nuk e përmbushin as minimumin e kërkesave të qytetarëve. Kryeministër, siguro vaksina për qytetarët, zbato planin e vaksinimit e mos u tall me qytetarë. Politika e jashtme për këtë, nuk keni asnjë plan as strategji për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, programi nuk ka asnjë fjalë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, në Interpol e UNESCO. Si do t’i qaset Qeveria e Kosovës 5 shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Për dialogun me Serbinë nuk keni as platformë as parime. A do të ruhet sovraniteti dhe integriteti i vendit, dhe të përfundoj me njohje reciproke”, u shpreh Kadrijaj.

Ajo ka dashur të dijë se përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmenden pak si shtete mik dhe aleat të Kosovës.

“E pranuat që Kosova i ka përfunduar kriteret për liberalizimin e vizave, sepse, as ju as deputetët e juaj nuk e keni pranuar këtë realitet. Liberalizimi duhet të ndodhë pa asnjë koncesion. Pse aq rrallë përmend Amerika si vend mik dhe aleatët strategjik, dhe ju, pa shpjegueshëm nuk kërkoni pjesëmarrjen e Amerikës në dialog, a do t’i rishqyrtoni marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe a do ta kushtëzoni dialogun me të pagjeturit sepse më këtë keni bë popullzimin, tash jeni qeveri, lëne popullzimin”, tha ajo.

“Përveshjuni punës, se sa për program është mision i pamundur sepse Kosova ka veç 2 miliardë euro buxhet”, shtoi ajo.