Kadrijaj: Nëse ka diçka të vlefshme që duhet të jenë krenarë shqiptarët, është UÇK-ja

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

Deputetja e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Time Kadrijaj ka thënë se datat 5, 6 dhe 7 mars janë datat e kthesës historike të Kosovës.

“Nëse ka diçka shumë të vlefshme që duhet të krenohen fort shqiptarët ku do që janë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”- ka thënë Kadrijaj.

Ajo tutje ka thënë se lufta dhe sakrifica e Jasharëve mobilizoi shqiptarët në gjithë botën për t`u bashkuar në luftën për liri.

“Një familje si në legjenda luftoi me heroizëm, deri në plumbin e fundit, duke mos rënë asnjë i gjallë në dorën e armikut. Për familjen Jashari kënga nuk do të ndalet kurrë. Aty ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë. Ai që do të mbetet i gjallë gjithmonë është komandant Adem Jashari. Lufta dhe sakrifica e Jasharëve mobilizoi shqiptarët në gjithë botën. Se lufta e Adem Jasharit ishte e drejtë e dëshmojnë se krah tyre u bënë aleatët më të mëdhenj”- ka thënë ajo.

Kadrijaj ka thënë se sot duhet nderuar ata që humbën jetën.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë solemne për shënimin e 25 – vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pjesëmarrës në këtë seancë solemne është edhe Rifat Jashari dhe familjar të tjerë të familjes Jashari.

Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja  e UÇK-së, që këtë vit shënon 25 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.

5, 6, dhe 7 marsi shenojnë përvjetorin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.