Kadri Veseli tërhiqet nga të gjitha aktivitetet publike e politike

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, aktualisht kryetar dhe deputet i PDK-së, Kadri Veseli, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij për krime kundër njerëzimit nga ana e Zyrës së Prokurorit të Dhomave të Specializuara, ka thënë se do të tërhiqet nga të gjtitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces.

Veseli të enjten përmes një deklarate ka bërë të ditur se të mërkurën pasdite është informuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër tij.

“Kjo gjë do të kërkojë angazhimin dhe përqëndrimin tim të plotë, dhe prandaj kam vendosur që të tërhiqem nga të gjtitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces”, thuhet në deklaratën e tij.

Veseli ka shtuar se  nuk do të bëjë deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon.

“Të paktën për momentin, jam një qytetar privat. Deri në fund të këtij procesi, do të kërkoja që ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angazhuar në media apo në jetën publike dhe politike”, vijon deklarata.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor të këtij viti, kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.