Kadri Veseli se lëshon rastin, bën fushatë edhe me listën e barnave esenciale

Është nënshkruar lista e barnave esenciale e cila në vete ka rreth 100 barna të reja. Ministri në largim Uran ismaili tha se lista që hyn në fuqi që sot, sipas tij përmes saj do të trajtohen shumë sëmundje.

“Është listë që u takon profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve e jo interesave ekonomike”, tha Ismaili.

Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli tha se ka ekzistu bindja se sistemi shëndetësorë nuk mundet me i trajtu pacientët.

Veseli nuk e humbi rastin për të bërë fushatë dhe për të lavdëruar ministrin në largim të Shëndetësisë.

“Kjo tregon se ne bashkarisht duhet të bëjmë më shumë për këtë vend”, tha ai.

Nga ana tjetër Naim Bardiqi, sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë tha se komiteti teknik për formimin e listës esenciale e ka hartuar listën e re të barnave esenciale, finalizimi sipas tij është arritur pas një pune një vjeçare.

“Komiteti ka vendosur që në listën e re të vendosen propozimet për sënundje të rralla, për citotstatikë dhe për terapi të reja efektive të bazuara në dëshmi shkencore”, tha ai.

Lista e re ka brenda vetes rreth 100 barna të reja dhe pritet të plotësojë listën me barna në onkologji, hematologji, reumatologji dhe për shumicën e sëmundjeve kronike.

Ndërsa Drita Qosaj nga Shoqata për Sëmundje të Rralla tha se tashmë për këto sëmundje do të ketë barna.

“Deri më tani Ministria i ka mbuluar diku rreth 100 pacientë me sklerozë multiple, por as përafërsisht nuk janë mbuluar nevojat. Por, tani përfshirja e barnave në listën esenciale është e një e rëndësie të veçantë”, tha ajo.

Komiteti teknik është mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Për herë të fundit Lista e Barnave Esenciale është reviduar nga Ministri Ferid Agani në vitin 2013.

Revidim nuk ka bërë ministri Imet Rrahmani, ndërsa ekspertët besojnë se revidimi i Listës së Barnave Esenciale nuk i zgjidh të gjitha problemet me furnizim me barna, mbetet të shihet se si do të shkoj procesi i tenderimeve.