Kadri Veseli reformon Zyrën për Media të PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka emëruar dy zyrtarë përgjegjës për komunikim dhe marrëdhënie me publikun.

Avni Bytyçi është emëruar zëdhënës i PDK-së ndërsa Bashmir Xhemaj, është emëruar drejtor i Zyrës së Komunikimit, sipas njoftimit të PDK-së.

“Para se të shërbente në pozitën e zëdhënësit të PDK-së, Avni Bytyçi ishte për dy mandate zëvendës-shef i Stafit të kryeparlamentarit, Kadri Veseli. Më parë, Avni Bytyçi ishte angazhuar në sektorin e shoqërisë civile, duke mbajtur pozita të ndryshme menaxheriale dhe udhëheqëse, duke avokuar për demokraci dhe institucione transparente dhe llogaridhënëse”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Avni Bytyçi

“Në vitin 2013, ai ka pranuar bursën Fulbright nga Departamenti i Shtetit Amerikan, për të vazhduar studimet. Pas përfundimit të studimeve themelore, drejtimin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, ka ndjekur studimet e nivelit Master në “Maxwell School of Citizenship and Public Affairs” në Universitetit Syracuse, në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, vijon njoftimi.

Më tej, bëhet e ditur se drejtori i Zyrës së Komunikimit, Bashmir Xhemaj, ka diplomuar në shkenca politike dhe magjistruar për komunikim në Universitetin e Sheffildit, fakulteti ndërkombëtar në Selanik. Ka përvojë të gjatë në gazetari dhe shoqëri civile.

Bashmir Xhemaj

Xhemaj nga viti 2014, ka punuar si këshilltar në Ministrinë e Jashtme dhe më vonë si këshilltar i lartë i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Sipas PDK-së, ’emërimet e reja do ta forcojnë edhe më shumë këtë lidhje dhe rritin bashkëpunimin e përditshëm me të gjitha palët e interesit’.