Kadri Veseli - Qeverisë: Do ta kishit mbështetjen time për t’i çuar hajnat në burg

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në seancën  e sotme të Kuvendit se nuk ka besuar se Kosova do të diskutonte ndonjëherë për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka shtuar se këtë situatë e ka sjellë Qeveria aktuale  dhe se me këto veprime Qeveria po sakrifikon qytetarin dhe shtetin e Kosovës.

“Nuk e kam besuar që do të vinte një ditë si kjo qe do të flisnim në këtë mënyrë për raportet tona me SHBA. Nuk e kam besuar qe kjo Qeveri do të krijonte kaq shumë paqartësi dhe dilema shtetërore.  Po sakrifikohet qytetari dhe shteti më vend qe të sakrifikohet dogma. Sot më me dëshirë do të flisja për programin qeverisës së kësaj Qeverie, se çfarë do të bëjnë për rininë që po ikë nga vendi, fermerët, pensionistët, për forcimin e ushtrisë e ekonomisë, se çfarë do të bëjnë për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit”, ka thënë Veseli.

Ai po ashtu ka deklaruar se Qeveria do të kishte mbështetjen e PDK për të çuar hajnat në burg duke shtuar se prishja e raporteve me ShBA është gabim i rëndë.

“Si lider i opozitës do ta kishe mbështetjen time për të bërë një shtet më të mirë. Për  t’i çuar hajnat në burg, hajnat dhe të gjithë abuzuesit. Por kam frikë se nuk jeni të sinqertë.  Tendosja në raportet me ShBA është gabim i rëndë, është llogari e bërë keq.  Qëllimi i kësaj seance është se a mund të na tregoni se çfarë po synoni të arrini me këtë qasje. Cilët janë aleatët tuaj të rinj nëse trupat amerikane largohen nga Kosova.  Për të gjitha këto populli ka nevojë ta dëgjoj një përgjigje nga ju si kryeministër i vendit”, ka shtuar ai.

Kuvendi po mban debat parlamentar në lidhje me rrezikimin e marrëdhënieve diplomatike të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pasojë e qasjes shpërfillëse e joserioze të kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në raport me këshillat e udhëzimet e përfaqësuesve të SHBA-ve”.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të deputetëve të PDK-së dhe deputetëve të tjerë.

Në këtë seancë po diskutohet për zhvillimet e fundit dhe reagimet e zyrtarëve të ShBA-së për mosheqjen e tarifës 100 për qind nga ana e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës.