Kadri Veseli: Qeveria urgjentisht t’u dalë në ndihmë ndërmarrësve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në një takim me odat ekonomike, e ka konsideruar shqetësuese sjelljen e qeverisë aktuale karshi krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia dhe mos kalimin në Kuvend të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Veseli ka ftuar qeverinë e Kosovës që ta plotësoj Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike Covid-19, t’i merr parasysh kërkesat e odave ekonomike dhe propozimet e PDK-së, në mënyrë që kjo të votohet brenda një dite në Kuvendin e Kosovës.

“Avazin e vjetër të bllokadës dhe paaftësisë, po e vazhdon edhe kjo qeveri e udhëhequr nga LDK-ja, cila ka propozuar në Kuvendin e Kosovës një pseudo-pako ekonomike, që jo vetëm nuk i përmbushë nevojat elementare të ekonomisë tonë, por fillimisht ka mashtruar qytetarët për tërhjeqjen e 10% të trusit, duke premtuar rimbursim ndërsa më vonë as që e përmendi. Nga të dhënat zyrtare të mjeteve që qytetarët posedojnë në Fondin e Trustit Pensional, rezulton se një përqindje e madhe do të mund t’i tërheqin vetëm një shumë të vogël të mjeteve. Ky është mashtrim ndaj qytetarëve dhe nevojave të tyre të përditshme”, thuhet në komunikatën për media duke shtuar se sjellja e kësaj qeverisje është e mentalitetit bllokues dhe në mungesë të numrave të saj në Kuvendin e Kosovës për ta kaluar pakon.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në takim me drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, dhe të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka mbështetur iniciativën e odave për përfshirjen e kërkesave të tyre në Projektligj.

“Si parti e qendrës së djathtë, PDK vlerëson se në këtë gjendje pandemie, institucionet e shtetit mund të ofrojnë lehtësira fiskale dhe të eliminoj procedurat burokratike; të përkrah drejtpërdrejt ndërmarrësit e Kosovës; si dhe të shoh praktikat më të mira evropiane të tërheqjes së mjeteve të tyre nga qytetarët prej Trustit Pensional dhe mbështesë të gjitha kategoritë sociale pa dallim”, thuhet në kumtesë.

“Që nga fillimi i pandemisë, PDK-ja është e para dhe e vetmja parti politike që ka propozuar zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës pakon emergjente dhe ka bërë propozime konkrete për t’i tejkaluar pasojat e rënda ekonomike”, përfundon komunikata.