Kadri Veseli pretendon se në Ministrinë që u drejtua nga Memli Krasniqi e Kujtim Shala kishte korrupsion

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare po lavdëron në vazhdimësi punën e deritanishme të këtij mandati të ministrave të PDK-së.

Veseli ka lavdëruar sot punën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në luftimin e korrupsionit por duke lënë të pretendohet së në udhëheqjet e kaluara kishte korrupsion.

Kryetari i PDK-së gjatë një vizite në organizatën “Dita” e cila thuhet së është përfituese e granteve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë me fondet e kursyera nga lufta kundër korrupsionit, u mbështetën gra dhe vajza që prodhojnë veshje tradicionale.

“Ruajtja, kultivimi dhe promovimi i trashëgimisë sonë të pasur kulturore është prioritet për ne. Në organizatën “Dita”, përfituese e granteve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, puna artizanale asnjëherë nuk ndalet. Rreth 50 vajza e gra janë të trajnuara dhe angazhuara për të prodhuar veshje tradicionale, duke siguruar kështu të ardhura nga një segment i veçantë që plotëson nevojat e shoqërisë sonë”, ka shkruar Veseli në rrjetin social ‘Facebook’.

“Duke e luftuar korrupsionin, ne do të kursejmë edhe më shumë fonde dhe do të sigurojmë edhe më shumë mbështetje për veprimtari të ngjashme si të organizatës “Dita”, duke ofruar më shumë mundësi e hapësirë për të rinjtë në përgjithësi dhe për vajzat në veçanti”, ka shtuar ai.

Kujtojmë së përveç Gashit, anëtar i PDK-së që ka udhëhequr këtë ministri ishte edhe Memli Krasniqi.

Ai u emërua ministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në shkurt 2011 deri në dhjetor të 2014-es i ka shërbyer kësaj ministrie e cila më pas u udhëhoq nga Kujtim Shala dhe Vlora Dumoshi, të dy të LDK-së, në Qeverinë e Isa Mustafës.

Atëbotë, KALLXO.com kishte raportuar së si Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), e cila gjatë mandatit tri vjeçar të Krasniqit kishte lënë një paraqitje kaotike të parave të marra nga donatorët dhe llogari të pambyllura të asaj kohe.

Ministria ka akumuluar borxhe të mëdha, në shuma financiare të cilat janë të paqarta sesi janë vënë në përdorim.

Gjithashtu edhe Zyra e Auditorit kishte gjetur se menaxhimi i parasë në këtë Ministri nuk ka qenë i mirë.