Kadri Veseli krenohet prapë me QKUK-në ku qytetari ishte detyruar të blejë penjtë

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar edhe një herë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe ka folur për luftimin e korrupsionit.

“Sot takova shumë punëtorë shëndetësorë në ambientet e kardiokirurgjisë në QKUK, e cila është model i luftës kundër korrupsionit dhe dëshmi e reformës së madhe në shëndetësi. Tash kemi shërbime më të shpejta, më efikase e cilësore, me pajisje shumë moderne”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Edhe gjatë kohës sa ministër ka qenë Uran Ismaili, në QKUK është raportuar për mungesë të barnave nga lista esenciale. KALLXO.com ka raportuar disa herë për mungesë të pajisjeve më bazike, siç janë penjtë.

E së fundmi, KALLXO.com ka raportuar për mungesë të barit “ibandronat”, përdoret nga pacientët e sëmurë me kancer dhe ata me sëmundje të eshtrave. Janë bërë më shumë se dy muaj prej kur Reparti i Reumatologjisë dhe Klinika e Onkologjisë nuk e kanë këtë medikament.

Në QKUK mungojnë barnat e kushtueshme për eshtra

Lufta kundër korrupsionit, sipas Veselit, nuk vetëm e drejtë por edhe sjellë përfitime të vazhdueshme.

“Milionat e kursyera nga lufta kundër korrupsionit në shëndetësi i kemi investuar në infrastrukturë, në blerje të pajisjeve të reja dhe në shërbime 24 orë. Shembulli i sektorit të shëndetësisë dëshmon se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm e drejtë, por ajo sjellë edhe përfitime të vazhdueshme”, thuhet tutje në postimin e tij.

“Lufta kundër korrupsionit nuk fitohet për një ditë. Por, me shëndetësinë mund të dëshmojmë se suksesi në këtë luftë na mundëson që të ndërtojmë një të ardhme më të mirë!”, thuhet në fund të njoftimit të kryetarit të PDK-së.

Që nga caktimi datës 22 gusht për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka nis një fushatë me diskurs kundër korrupsionit.

Veseli krenohet për ‘kursimin’ e 10 milionëve në shëndetësi, harron 53 milionët e Autostradës

Ndërkohë, dje KALLXO.com ka raportuar për punësimin e një ish- asablistjeje nga komuna e Ferizajt që udhëhiqet nga Agim Aliu i PDK-së.

PDK injoron mesazhet e Kadri Veselit, vazhdojnë punësimet

www.kallxo.com