Kadri Veseli ftohet nga Gjykata Speciale

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale.

Këtë e ka bërë të ditur ai në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Veselit, intervistën në Hagë do ta realizojë më 4 dhjetor.

“Gjithë jetën kam qenë i angazhuar për të mirën e Kosovës dhe këtë e kam bërë tërësisht në baza vullnetare dhe me përkushtimin më të lartë. E kam nisur si fëmijë, si nxënës i shkollës fillore në Mitrovicë, me demonstratat e prillit të vitit 1981, si pjesëmarrës, e pastaj në shumicën prej tyre edhe si organizator dhe drejtues. Nga mesi i viteve ’80, unë kam hyrë me ideal në organizatat patriotike, anti-jugosllave, për ta kundërshtuar robërinë dhe për të punuar për lirinë. Kam qenë i bekuar që isha një ndër ideatorët dhe themeluesit e saj, luftëtar i lirisë deri në çlirimin e vendit”, tha Veseli në konferencë para gazetarëve.