Kadri Veseli flet për konfiskimin e pasurisë ‘haram’

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli e ka vazhduar fushatën jozyrtare të tij për zgjedhjet e ardhshme edhe të dielën.

Të dielën, ai ka takuar Naser Januzi, biznesmen të cili i është liruar lokali në vitin 2017, pasi iniciativës së Veselit dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në këtë takim, përvec luftës kundër uzurpatorëve dhe korrupsionit, Veseli ka folur edhe për pasurinë e kirjuar me haram të disa personave në Kosovë.

“Nuk kanë me i gëzu. Ne kemi nxjerrë ligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe të gjithë ata të cilët me haram e kanë krijuar pasurinë e vet, nuk do ta gëzojnë. Do t’u kthehet qytetarëve në pronësi publike. Dhe i inkurajoj ndërmarrësit tanë nga diaspora por edhe të vendeve tjera që të investojnë në Kosovë. Kosova do të jetë një vend i investimeve dhe i zhvillimit ekonomik”, citohet Veseli në një publikim të PDK-së në “Facebook”.

Ai ka thënë se në qeverinë e Kosovës, pjesë e së cilës ka qenë për 12 vjet PDK-ja, ka njerëz të korruptuar.

“Ju ka ardhur fundi. Ka njerëz të korruptuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në institucione publike, të cilët janë duke menduar se mund t’i vendosin barriera të rinjve dhe perspektivës së Kosovës. Një zyrtar i tillë që i bënë këto, ia ndalë perspektivën të rinjve tanë dhe na i largon me dhjetëra të rinj çdo ditë. Por, ju ka ardhur fundi. Dhe ky është mesazhi im: Ligji do të funksionoj në Kosovë. Ligji do të jetë i barabartë për të gjithë, qoftë për bartësit e institucioneve, qoftë për ndërmarrësit dhe Kosova të ecë përpara në rrugëtimin e vet euro atlantik, duke respektuar rendin dhe ligjin. Kjo është e ardhshmja”, tha Veseli.