Kadri Veseli e Sami Lushtaku i qerasin simpatizantët me Red-Bull e Birra

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli së bashku me kryetarin e degës së PDK-së në Skenderaj Sami Lushtakun kanë qëndruar në Prelloc të Skenderajt, ku simpatizantët e kësaj partie i kanë ‘freskuar’ me Red-Bull e Birra.

Në fotografitë e publikuara nga vet Lushtaku, shihet se pjesë e kësaj ‘gostie’, janë edhe ish-deputetja Ganimete Musliu, si dhe ish-deputeti Mergim Lushtaku.

“Prelloci në të gjitha periudhat ka mbështetur organizimet që janë në të mirë të vendit. Këta qytetarë sot janë rreshtuar drejtë, duke mbështetur fuqishëm Partinë Demokratike të Kosovës. Falënderoj nga zemra qytetarët për besimin e tyre të vazhdueshëm”, ka shkruar Lushtaku në facebook.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli dhe kryetari i PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtaku kanë pasur një ‘përplasje’ pasi që Veseli në ‘betejën’ e tij kundër korrupsionit kishte marrë vendim për lirimin nga detyra të të gjithë zyrtarëve të PDK-së që kanë aktakuza.

Lushtaku nuk ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetrarit të PDK-së në Skenderaj, edhe pse ndaj tij rëndojnë dy aktakuza.

Ai madje ka hedhur akuza të forta ndaj partisë së tij duke thënë se janë disa bashkpartiak të tij që kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, përfshi drejtësinë, mediat dhe bizneset.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë”, kishte shkruar Lushtaku në Facebook.