Kadri Veseli: Avdullah Hoti është kopje e mashtrimit, PDK nuk e voton qeverinë e tij

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvend me të vetmen pikë të rëndit të ditës, zgjedhja e Qeverisë së Kosovës ka thënë se Avdullah Hoti është një kopje e mashtrimit.

Ai ka thënë se LDK gjithmonë ka ndihmuar në rrënimin e pushtetit.

“LDK, kur nuk ka qenë në pushtet – gjithmonë ka ndihmuar rrënimin, ndërsa kur është në pushtet – kurrë nuk merr përgjegjësitë që i takojnë. Pastaj, këto koalicionet, qoftë ai paraprak, qoftë ky aktual, kur dëgjon fyerjet mes tyre dhe bashkimet më pas”, tha Veseli.

Ai  komentoi edhe punën e Qeverisë Kurti duke thënë se kjo qeveri ka shpërdoruar paranë publike gjatë pandemisë së COVID-19.

“ Në kohën më të rëndë të pandemisë dhe pasigurisë ekonomike kur ishte i domosdoshëm bashkëpunimi, kryeminstrit i doli punë me të gjithë dhe i shpërfilli të gjithë, nuk pranoi përkrahje ligjore që i ofruam në Kuvend por shpërdoroi  aq ligjshëm paranë e shtetit dhe e goditi biznesin privat”, vazhdoi fjalimin kryetari i PDK-së.

Veseli shtoi se ata nuk do ta votojnë Qeverinë në krye me Avdullah Hoti.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë këtë Qeveri. Nuk jemi me VV-në. As nuk do të jemi me LDK-në. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë pazare me mua dhe me PDK-në për pushtet.  E njoh lojën politike dhe i dalloj mirë strategjitë e përfitimit abuzues në politikë.  Por, nuk i pranoj, edhe sikur të ma japin tërë pushtetin e mundshëm.  Sepse, është mashtrim”, tha Veseli.