Klisman Kadiu, Foto:Klisman Kadiu, Facebook

Kadiu: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ekipin menaxhues nuk është në kundërshtim me marrëveshjen

Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ekipin menaxhues nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.

“Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës”- ka shkruar Kadiu.

Tutje ai ka shkruar se “Ekipi Menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë, i cili ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”.

Në një deklaratë për KALLXO.com, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se marrëveshjet e dialogut Kosovë-Serbi thonë se ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se i ka liruar nga detyra anëtarët e ekipit menaxhues pas prezantimit të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status”- ka shkruar ai në Facebook.

Ekipi menaxhues përbëhej nga të Danijela Vujiçiq, Jelena Boloviq, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq.

Më 2 maj 2023 u mbajt takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ministri Krasniqi liron nga detyra ekipin menaxhues për draftin e Asociacionit