Donika Kadaj - Bujupi - FOTO KALLXO - ARKIV

Kadaj- Bujupi: Gazi lotsjellës në Kuvend nuk ishte kundër Kosovës

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi ka kundërshtuar moslejimin e personave për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit, për shkak të dënimeve me kusht.

Kadja- Bujupi ka deklaruar se gazi lotsjellës në Kuvend nuk ishte kundër Kosovës, por sipas saj ishte për ta mbrojtur atë nga “Zajednica”.

“Gazi nuk ishte kundër njerëzve – ishte për t’i mbrojtur qytetarët nga pabarazia që krijohej me Zajednicën. Gazin nuk e kishim kundër institucioneve – ishte pikërisht për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Republikës. Prandaj, edhe dënimi ishte me kusht. Sepse metoda ishte jo konvencionale, por qëllimi ishte politik”, ka shkruar ajo në Facebook.

Moslejimin e kandidimit, ish-deputetja e ka quajtur të pakuptimtë në këtë rast.

“Mos lejimin e kandidimit të kujtdo që është angazhuar me vetëmohim për mbrojtjen e Republikës, e kam të vështire ta kuptoj si mbrojtje e integritetit të institucionit. Ne fakt është krejt e pakuptimtë”, thuhet në publikimin e saj.

Kadaj- Bujupi nuk do jetë pjesë e garës për deputete në zgjedhjet e 14 shkurtit. Arsyen për mos pjesëmarrje në këto zgjedhje ajo e ka konsideruar të qenit në mes mundësive dhe pasi skena politike sipas saj po ndryshon dhe nuk përkon me bindjet e saj.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ish-ministrja e Drejtësisë nga kjo parti, Albulena Haxhiu janë në mesin e 47 personave të cilët kanë probleme me ligjin.

Kjo është konfirmuar dje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka raportuar KALLXO.com.

Të mërkurën KGjK njoftoi se në 15 parti politike, nga 28 sa garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit, kanë kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin. Gjithashtu, ky institucion i drejtësisë evidentoi 47 emra të kandidatëve nga 1 mijë e 80 sosh, aq sa i kanë hyrë garës për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.