Kaçaniku kërkon 2,000 litra oksigjen medicinal

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Komunën e Kaçanikut, trajton edhe pacientët që janë të infektuar me COVID-19.

Për shkak të kësaj situate, QKMF-ja në Kaçanik, ka kërkuar që të furnizohet me oksigjen në mënyrë që të përdoret në raste kur pacientët kanë nevojë.

Gjatë ditës së djeshme Komuna e Kaçanikut ka njoftuar përmes E- Prokurimit se ka hapur tender për të furnizuar QKMF-në me oksigjen.

Sipas shpalljes së tenderit, Komuna e Kaçanikut ka specifikuar edhe sasinë që tash për tash i nevojitet.

“Furnizim me oksigjen medicinal me bombola 2,000 litra”, thuhet në dosjen e tenderit.

Vlera e parashikuar për 2 mijë litra oksigjen, sipas dosjes është 1 mijë euro.

Në lidhje me furnizimin me bombola oksigjeni KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e Shëndetësisë në Kaçanik, Diana Bajrami- Reka.

Ajo tha se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik trajtohen pacientët me COVID-19 deri sa dha edhe shpjegimin për hapjen e tenderit për oksigjen.

“I kemi aparatet që prodhojnë vet oksigjen që i kemi ble në vitin 2020, janë 13 aparate. Jemi duke i përdorur ato, por në të njëjtën kohë, kemi hapur edhe tender”, tha Bajrami – Reka.

Bajrami – Reka shtoi se aparaturat për prodhim të oksigjenit, janë rezerva dhe do të përdoren në raste urgjente.

“Aparaturat nuk prodhojnë rregullisht, ato i kemi për raste emergjente, kur nuk kemi oksigjen sikurse tash që e kemi periudhën që nuk ka oksigjen të mjaftueshëm. Në momentin që furnizohemi me oksigjen ato (aparaturat) i qesim në planin B”, tha drejtoresha e shëndetësisë.