Foto-ilustrim

Kaçanik, paraburgim për 4 të dyshuarit për 14 raste të vjedhjeve të rënda

Gjykata e Ferizajt, dega në Kaçanik, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve L.B., B.G., A.H. dhe Ç.L., për të cilët dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vjedhje e rëndë.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje kanë kryer 14 vjedhje të rënda, në vende dhe kohë të ndryshme, kryesisht në shtëpi, lokale dhe ordinanca.

Të pandehurit dyshohen se duke filluar nga 17 shtatori 2020 në raste të ndryshme kanë vjedhur një televizor “Samsung”, cigare në vlerë prej 300 euro dhe 60 euro para të metalta ; tridhjetë telefonë të markave të ndryshme në vlerë prej 2,000 euro ; një çantë me vlerë të papërcaktuar nga i dëmtuari, 1 arkë të metaltë në vlerë prej 50 euro, një gotë në të cilën kanë qenë të vendosura 265 euro ; sasi të llojeve të ndryshme të cigareve dhe një sef të metaltë ku brenda kanë qenë të vendosura shuma prej 500 eurove ; një kompjuter, thika dhe një palë këpuca në vlerë të papërcaktuar; një lap-top në vlerë prej 200 euro; shumën e të hollave të metalta në vlerë prej 40-50 eurove si dhe në një tjetër rast shumën e të hollave të metalta 10-15 euro, e më 5 janar 2021 kanë vjedhur një sëpatë vlera e papërcaktuar nga i dëmtuari.

Gjyqtari i procedurës paraprake Riza Livoreka kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.