Kaçanik, kapen në flagrancë pesë persona duke luajtur bixhoz

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë në mesnatë kanë hasur në pesë persona duke luajtur bixhoz në fshatin Dubravë të Kaçanikut.

Në të njëjtin njoftim është thënë se në lokalin ku janë zënë personat duke zhvilluar aktivitet joligjor është konfiskuar një shumë e caktuar e parave, një fletore me shënime të personave dhe letra që janë përdorur për të luajtur bixhoz.

Tutje është thënë se personat e dyshuar janë dërguar në stacionin policor në Kaçanik, ku janë intervistuar.

“Pas intervistimit nga policia, me vendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është iniciuar rast penal ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’ për procedura të mëtejme hetimore”, është thënë në njoftim.

Raste të tilla që cilësohen si – organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, dënohen në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Neni 294 i këtij Kodi tregon se kushdo që me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, organizon, merr pjesë apo ndihmon në organizimin e veprimtarive të skemave piramidale, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Po ashtu, në raste kur kjo vepër penale rezulton me fitim apo humbje që tejkalon 25 mijë euro, kryesi dënohet me burgim prej dy deri në 12 vjet.