
Kaçanik, ish-qeveritarët Kurti i quan "të pashpresë" dhe "të pabesë"
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Kaçanikut më 14.01.2025.
Ai ndër të tjera ka përmendur edhe ish-qeveritarët e Kosovës, të cilët i ka quajtur “të pabesë”.
“Ish-qeveritarët që populli i njeh mirë ishin mendjelehtë e zemërgurë, e ne që jemi bashkë jemi edhe mendjemprehtë, edhe zemërgjerë. Ne bashkë me mendje sjellim shpresë sepse me zemër kemi besë. Ish-qeveritarët janë edhe të pashpresë, edhe të pabesë”- është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se Qeveria e tij e ka rritur 44 për qind buxhetin për komunat e Kosovës, duke thënë se ka ndihmuar komunat e banorët e vendit pa diskriminim.
Kurti tha se Kosovën e ka gjetur me 350 mijë të punësuar, ndërsa sipas tij, tash janë 80 mijë të punësuar më shumë.
“80 mijë për katër vjet, janë mesatarisht 55 të punësuar çdo ditë. Me programin ‘Super Puna’ janë punësuar 14 mijë të rinj”- ka thënë ai.
Ndërsa ka shtuar se Lëvizjes Vetëvendosje i nevojitet një fitore si asnjëherë tjetër, me gjysmë milion vota.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.