Kaçanik, arrestohet 66-vjeçari për dhunë ndaj motrës

Një person është arrestuar në Kaçanik pasi dyshohet për dhunë në familje.

Sipas njoftimit të Policisë, stacioni policor në Kaçanik sot rreth orës 15:55 ka pranuar një informacion se në një shtëpi në qytet ka një rast të dhunës në familje.

Në lidhje me këtë, Policia ka marrë veprimet e nevojshme dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar personin e dyshuar me inicialet F.F.,  66-vjeçar, i cili për shkak të disa mosmarrëveshjeve në familje i kishte shkaktuar dhunë fizike dhe psikike motrës së tij L.F., 61-vjeçare, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik.

Policia të dyshuarin e ka shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit të Prokurorisë së Ferizajt, e ka dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.