Kabineti qeveritar ka miratuar strategjinë e energjisë së Republikës së Kosovës 2022-2031

Qeveria e Kosovës ka miratuar strategjinë e energjisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2022-2031.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli tha se përmes kësaj strategjie vendosen orientimet e sektorit të energjisë drejt tranzicionit për sigurim të qëndrueshmërisë.

Sipas saj, eficienca e energjisë dhe burimet e ripërtëritshme janë shtylla kryesore e kësaj energjie.

“Strategjia e vendos orientimet zhvillimore të sektorit të energjisë, ashtu që të shkoj drejtë tranzicionit për të siguruar qëndrueshmëri. Kriza energjetike botërore dhe lufta në Ukrainë vetëm se e kanë vështirësuar situatën për ne, por ne këtë duhet ta shohim si mundësi për hapjen e një kapitulli të ri. Eficienca e energjisë dhe burimet e ripërtëritshme  janë dy shtyllat kryesore të kësaj energjie”- ka deklaruar Rizvanolli.

Tutje, sipas ministres, për të garantuar besueshmëri dhe për të reduktuar emetimet parashihen investime në Termocentralin Kosova A dhe B.

Ajo shtoi se për këtë strategji janë konsultuar me ekspertë të ndryshëm.

“Përgjatë zhvillimit të kësaj strategjie kemi pasur konsultime me organizata të shoqërisë civile, ekspertë, dhe 7 qendrat më të mëdha të Kosovës dhe mund të them që ka një pajtueshmëri të plotë sa i përket objektivave të strategjisë”- shtoi ministrja.

Kryeministri Kurti tha se kjo strategji parasheh zhvillime të shpejta dhe rritje të energjisë së ripërtëritshme të erës dhe asaj solare.

“Sot para nesh kemi strategjinë e energjisë, kjo strategji parasheh zhvillime të shpejta, synon për një sektor të qëndrueshëm, rritje dinamike të energjisë së ripërtëritshme kryesisht të erës dhe fotovoltaike”- tha Kurti.

Ai shtoi se qeveria është e përkushtuar për integrimin e tregut me Shqipërinë.

“Qeveria është e përkushtuar për integrimin e tregut me Shqipërinë, bursa e përbashkët do të finalizohet në vitin që po hymë. Strategjia e energjisë për herë të parë i vendos qytetarët në qendër në mënyrë që ata të kenë qasje në mënyrë të përballueshme”- Shtoi Kurti.

Derisa, Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë tha që në këtë strategji kanë paraparë edhe industrinë primare.

Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës (2022-2031) është një dokument themelor i cili përcakton drejtimet dhe veprimet kryesore për zhvillimin e sektorit të energjisë gjatë 10 viteve të ardhshme.

Strategjia e Energjisë, si i shohin ekspertët investimet në qymyr?