Arkiv - Foto: REL/AP

Kabineti i Vjosa Osmanit demanton Grenellin se 'nuk u pajtua me Kurtin për ShBA-të'

Ish-emisari i SHBA-ve për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka thënë se qytetarët e Kosovës i kanë dërguar një mesazh të fuqishëm kryeministrit Albin Kurti se është e papranueshme të refuzohet SHBA-ja.

Grenell ka thënë se presidentja Vjosa Osmani nuk pajtohet me Kurtin në këtë çështje.

“Qytetarët e Kosovës i kanë dërguar një mesazh të fuqishëm Albin Kurtit se është e papranueshme që të refuzohet energjia e pastër ripërtëritëse e SHBA-së dhe Marrëveshja Ekonomike e Normalizimit e nënshkruar në Zyrën Ovale. Vjosa Osmani ia ka bërë të qartë SHBA-së se nuk pajtohet me Kurtin”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Ndaj kësaj deklarate, shefi i kabinetit të Presidentes, Blerim Vela i ka reaguar duke thënë se Grenell po gënjen në pjesën kur po i referohet deklaratës së presidentes.

“Si shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Unë dua të informoj se Richard Grenell  po gënjen kur i referohet deklaratave të Presidentit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Vela.