Kandidatja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Kabashi-Ramaj (PDK): Për ngritjen e nivelit të mbrojtjes nga kërcënimet do t’i krijojmë pesë regjimente

Gjatë shpalosjes së programit zgjedhor në emisionin “Debat Përnime”, kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), më 19.01.2025, prezantuan planet në fushën e sigurisë.

Lidhur më këtë, Besa Kabashi-Ramaj, foli për themelimin e Gardës Kombëtare, që sipas saj, “do t’i jep Kosovës mundësi më të mëdha për zhvillimin e sektorit të sigurisë”.

“Garda lejon kombinimin e kapaciteteve, forcave aktive, forcave rezervë dhe vullnetarëve që duan t’i shërbejnë vendit në fushën e sigurisë. Kjo e rritë aftësinë e vendit tonë që me i maksimizuar kapacitetet që i kemi. Ne parashohim që për ngritje të nivelit të mbrojtjes nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme të krijojmë pesë regjimente, siç kemi planifikuar me partnerët tanë strategjikë SHBA-n dhe NATO-n, t’i ndërtojmë këto regjimente dhe t’i funksionalizojmë brenda këtij mandati”- tha Kabashi-Ramaj.

Përveç kësaj, PDK si të rëndësishme e sheh edhe ngritjen e kapaciteteve ajrore në fushën e sigurisë, duke themeluar njësitin e veçantë të helikopterëve.

“Ne do të kërkojmë një njësi me gjashtë helikopterë të cilët do të shfrytëzohen edhe për çështje mbrojtëse, por sidomos për shpëtimin e jetëve të qytetarëve tonë. 150 deri në 170 veta vdesin brenda vitit për shkak se nuk kemi kapacitete për me i transportuar prej vendit ku aksidentohen deri në QKUK”- theksoi Kabashi-Ramaj.

Në kuadër të këtij plani, parashihet që të ketë një buxhet për dy njësi të helikopterëve.

“Ne kemi planifikuar që të kemi një njësi të përbashkët dhe kjo nuk është që nuk ka ndodhur kurrë më përpara në vendet partnere. E vendosim në FSK për shkak se ka kapacitet si ushtri më shumë edhe për mirëmbajtje dhe ka pilotë, por e ndërtojmë një protokoll të veçantë që për raste të incidenteve në emergjenca civile mund t’i shfrytëzojmë këto kapacitete për me shpëtuar jetë”.

Kur u pyet nëse kjo njësi është e njëjtë me helikopterët që po negocion Qeveria që janë për qëllime ushtarake, ajo tha se kjo është njësi tjetër.

“Black Ops janë helikopterë idealë që kanë mundësi të bëjnë operacione ushtarake dhe civile por janë shumë të kushtueshëm. Partnerët tanë na përkrahin në shumë gjëra, po zakonisht kur bëjmë blerje të pajisjeve të mbrojtjes, tendenca është që me na rekomandu me ble pajisje që janë më lehtë me i mirëmbajt dhe kanë më pak kosto për buxhetin”- tha Kabashi-Ramaj.

Blerja  e këtyre helikopterëve nuk dihet se sa do të kushtoj, por PDK thotë se do blihen gjatë mandatit të parë.

Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Gardë Kombëtare dhe Njësit të Helikopterëve për emergjenca civile: Zotimet e PDK-së për sigurinë dhe mbrojtjen