Kandidatja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Kabashi-Ramaj (PDK): Do të bëjmë ndryshime në strukturën e AKI-së

Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, në “Debat Përnime”, më 19.01.2025, ka thënë se “me ardhjen e PDK-së në pushtet” do të bëjnë ndryshime edhe në strukturën e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Këto ndryshime, sipas saj, do të bëhen në bazë të nevojave që i ka shteti.

“Po- kemi me ba ndryshime në strukturën e AKI-së dhe ato ndryshime do të bëhen në bazë të nevojave të shtetit për t’i ngritur kompetencat e AKI-së dhe personelit të AKI-së”- tha Kabashi-Ramaj.

Se a do të qëndrojë në krye të AKI-së, Petrit Ajeti, nëse PDK do të qeverisë me vendin, ajo ka thënë se mbetet të shihet se si ka qenë performanca e tij.

Por, Kabashi-Ramaj, përkujtoj reagimin e AKI-së lidhur me rastin e sulmit në Ibër-Lepenc.

“Vlerësimin do ta bëjmë kur të jemi në Qeveri dhe kur kemi qasje në mënyrën qysh ka performu AKI-ja. Mirëpo, nuk është fare mirë që kur ndodhi p.sh sulmi mbi infrastrukturën kritike, në vend që me parandalu AKI–ja, bashkë me Policinë, shefi i AKI-së ishte atë ditë aty”- tha Kabashi-Ramaj.

Gjithashtu, PDK thotë se ideja është që më i rrit kapacitetet njerëzore, profesionale dhe teknologjike të AKI-së, që ata të kenë mundësi të ndihmojnë edhe në parandalimin e krimeve kibernetike edhe luftës hibride.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Gardë Kombëtare dhe Njësit të Helikopterëve për emergjenca civile: Zotimet e PDK-së për sigurinë dhe mbrojtjen