Ilustrimi- Jeta Dobranja për BIRN

Ka vetëm një dialog Kosovë - Serbi

Presidenti Thaçi nuk mund të zgjedhë se kush do ta ndërmjetësojë dialogun Kosovë-Serbi, ndërkohë që retorika anti-BE vetëm se do ta dëmtojë Kosovën në planin afatgjatë.

Përmes një veprimi të paprecedent, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi të martën se “ai nuk ka vullnet për të marrë pjesë” në negociatat që udhëhiqen nga Miroslav Lajçak, i dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, i cili u emërua në këtë pozitë më 3 prill të këtij viti.

Thaçi vazhdimisht ka bërë presion për një dialog të udhëhequr nga SHBA-të gjatë gjithë vitit 2020, dhe për ri-angazhimin e SHBA-së në proces – e po ashtu edhe mosmarrëveshjet e tij me BE-në – ka shtyrë shumë njerëz të besojnë se ekzistojnë potencialisht dy procese dialoguse të veçanta: një i iniciuar nga BE dhe një dialog të dytë konceptual të udhëhequr nga SHBA-të.

Nocioni se dialogu është i ndarë në dy procese të veçanta u forcua në fillim të këtij viti pas publikimit të asaj që u përshkrua si një seri ‘marrëveshjesh transporti’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të nënshkruara nën ndërmjetësimin e SHBA-ve. Sidoqoftë, këto marrëveshje të ashtuquajtura u zbuluan më pas se nuk ishin asgjë më shumë së “letra  interesi”.

Ndërkohë që ndihma amerikane në dialog është e mirëseardhur, ekziston vetëm një dialog zyrtar Kosovë-Serbi i cili është ndërmjetësuar nga BE-ja në Bruksel gjatë dekadës së fundit.

BE-ja u zgjodh si një ndërmjetësuese pasi që e ardhmja e të dy shteteve u pa se qëndron në BE pas normalizimit të marrëdhënieve. Në këtë kontekst, deklarata nënvlerësuese e Thaçit drejtuar Miroslav Lajçak eshte jodiplomatike dhe njëkohësisht e pamatur.  

Thaçi ka qenë protagonisti kryesor i dialogut qyshkur filluan negociatat në Bruksel në vitin 2011. Kur dialogu filloi për herë të parë, Thaçi në mënyrë optimiste e përshkroi fillimin e negociatave si një “kapitull të ri për Kosovën”.

Ai ishte pjesë e negociatave si kryeministër dhe më vonë si ministër i jashtëm deri sa mori detyrën e presidentit në prill të vitit 2016. Pavarësisht pozicionit të tij zyrtar, Thaçi dhe homologu i tij Aleksandar Vuçiq kanë qenë akterët kryesorë të dialogut.

Sidoqoftë, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të qershorit 2019, dialogu Kosovë-Serbi duhet të udhëhiqet nga kryeministri dhe të mbikëqyret nga Kuvendi i Kosovës. Vendimi i gjykatës thotë se “kompetencat për të arritur një marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të transferohen”. Si rezultat, Thaçi nuk ka kompetencë t’i përmbyllë negociatat në Bruksel në kapacitetin e tij si president.

Komentet e tij të pashembullta drejtuar Lajçak mund të shihen si një përpjekje e tij që ta rrëmbejë diaologun dhe të përfitojë nga fragjiliteti i marrëdhënive aktuale ndërmjet aleatëve transatlantikë, BE dhe SHBA, duke diskredituar BE-në. Ai po dërgon sinjale se dëshiron të vazhdojë të jetë protagonisti kryesor i dialogut dhe po dërgon paralajmërime për secilin që tenton t’a ndryshojë status quo-në.

Sidoqoftë, diskreditimi i BE-së mund të ketë pasoja shumë të mëdha. BE është deri tani kontribuesi më i madh financiar në Kosovë dhe në mënyrë të vazhdueshme e ka ndihmuar Kosovën për të përmirësuar cilësinë e institucioneve në pothuajse të gjitha frontet.

Në mars, BE dha një donacion prej rreth 70 milion euro për t’u përballë me pasojat e COVID-19, krahasuar me 500,000 dollarë donacion nga SHBA.

Marrë parasysh këtë fakt, një përkeqësim i marrëdhënieve Kosovë-BE mund të jetë katastrofik për Kosovën, e cila varet nga ndihma dhe asistimi i aleatëve të saj evropianë. Ndërsa është e vërtetë që BE nuk ka qenë në gjendje të prodhojë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kosova ende synon të anëtarësohet në BE në një të ardhme të parashikueshme.

Argumenti kryesor i Thaçit kundër përfshirjes së BE-së në dialog është identiteti i atyre që aktualisht e përfaqësojnë BE-në në punët e jashtme, megjithatë presidenti nuk është në gjendje të zgjedhë me cilin diplomat të BE-së dëshiron të takohet ose të përfshihet në negociata. Pavarësisht se është sllovak, Lajçak përfaqëson pozicionin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, dhe jo vetëm vendin e tij të origjinës, siç përsëriti Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

“Z. Lajçak nuk e përfaqëson Sllovakinë, por BE-në me 27 vendet e saj anëtare, 450 milion banorë dhe zonën më të madhe ekonomike në botë,” deklaroi Heldt për BIRN. “Si Ambasador i një shteti anëtar që me krenari i përket kësaj familje, mund të them që Z. Lajçak gëzon besimin e plotë të qeverisë time për detyrën e tij të re, i cili gjithashtu do të përfaqësojë Gjermaninë si një shtet anëtar.”

Thaçi po dëmton drejtpërdrejt pozicionin e Kosovës në çështjet ndërkombëtare duke zgjedhur anë midis aleatëve të Kosovës. Kosovës i duhet e gjithë ndihma që mund të marrë dhe refuzimi i takimit me Lajçakun i shërben vetëm interesit të axhendës së tij personale, sesa interesave të vendit.

Presidenti ka një histori të deklaratave bombastike dhe tejet kundërthënëse duke i mveshur negociatat me një sens urgjence. Vitin e kaluar, ai deklaroi se Kosova duhet ta përdor momentin aktual për të arritur marrëveshje, përndryshe Kosova do të përfundojë sikurse Qiproja Veriore apo Palestina.

Preokupimi i presidentit me oportunizmin politik e ka shtyrë atë të harrojë detyrimin e tij kryesor kushtetues: të përfaqësojë unitetin e popullit. Në vend që të ketë një president që mbron legjitimitetin e vendit, Kosova ka një president që e vë në dyshim legjimitetin e shtetit publikisht dhe e krahason shtetësinë e saj me atë të territoreve të kontestuara.

Deklaratat politike të Thaçit e kanë kaluar kufirin. Ai nuk duhet të keqpërdor pozicionin e tij duke shfrytëzuar një nga zyrat më të larta publike të vendit për manovrat e tij personale politike. Pasoja këto që mund t’i shkaktojnë dëme të pariparueshme Kosovës.