Ka nisur seanca e sotme gjyqësore ndaj ish-kryetarit të Gjilanit dhe 35 personave tjerë
Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 35 të akuzuarve të tjerë, është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Bardhosh Dalipi dhe pastaj do të vazhdohet me administrimin e provave.
Dëshmitari Dalipi tha se ka punuar në Komunën e Gjilanit, si përfaqësues ligjor, ku ka përfaqësuar këtë komunë në raste penale, civile dhe administrative.
Të akuzuarit, Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, Ilaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj-Shabani, Ibrahim Foniqi, Hamdi Ismaili, Fadil Osmani, Hesat Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku dhe Nazim Jashari, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për veprën penale, krimi i organizuar lidhur me veprën penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit.
Ndërsa të akuzuarit, Basri Kqiku, Avdil Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për veprat penale, krimi i organizuar lidhur me veprën penale, keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi.
Seancat e këtij rasti zakonisht janë mbajtur në Gjykatën e Pejës, mirëpo për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, ajo po vazhdon të mbahet në objektet e Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë.
Kanë kaluar 4 vite prej kur Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzën kundër ish- kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafa dhe në atë kohë edhe kundër 38 të akuzuarve të tjerë.
Me këtë aktakuzë Prokuroria pretendonte se kishte zbuluar një grup kriminal në krye me ish-kryetarin e Gjilanit, i cili sipas Prokurorisë kontrollonte dhe i kurdiste tenderët për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.
Sipas Prokurorisë Speciale, pronarët e kompanive që akuzohen në këtë proces me rastin e ofertimit në tenderët e Komunës, fillimisht e kontaktonin Qemajl Mustafën dhe më pas koordinoheshin në mes veti se cili nga ta do të shpallej fitues në tenderin e caktuar, duke i kurdisur kështu aktivitetet e prokurimit.
Ky rast është kthyer në pikën zero pas pensionimit të gjyqtarit Sylë Lokaj, i cili këtë çështje e kishte në tavolinë për më shumë se 3 vite.
Tani këtë rast është duke e gjykuar gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj.
Procesi gjyqësor ndaj ish-kreut të Gjilanit është përshkruar me zvarritje të shumta procedurale.
Aktakuza për këtë rast penal është kthyer dy herë për plotësim – ndryshim.
Fillimisht më 25 nëntor 2016, gjyqtari i rastit kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të bënte precizimin e aktakuzës.
Kërkesës së Gjykatës i është përgjigjur prokurori special, Agron Bajrami, duke e bërë precizimin e aktakuzës më 15 dhjetor 2016.
Pas këtij precizimi, gjyqtari i rastit, Sylë Lokaj, më 11 maj 2017, e ktheu prapë për plotësim-ndryshim aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Më 19 qershor 2017, prokurori special, Agron Bajrami, e dorëzoi aktakuzën e plotësuar për të dytën herë në Gjykatë.
Pas pranimit të aktakuzës së plotësuar, gjyqtari i çështjes më 25 korrik të vitit 2017 e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndërsa ndaj këtij vendimi Prokuroria Speciale e Kosovës ushtroi ankesë.
Gjykata e Apelit më 22 shtator 2017, aktakuzën e hedhur poshtë ia riktheu për rishqyrtim Gjykatës në Pejë me arsyetimin se shkalla e parë nuk ka dhënë arsye të plota lidhur me hedhjen e parregullt të aktakuzës.
Më 21 nëntor 2017, në Asamblenë Komunale në Pejë, gjyqtari i rastit Sylë Lokaj ka mbajtur shqyrtimin fillestar për këtë çështje, ku 39 të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me pikat e aktakuzës.
Më 30 mars 2018, Gjykata e Pejës, ku po zhvillohet procesi, duke vepruar sipas kërkesave për hedhjen e aktakuzës nga avokatët mbrojtës i ka miratuar pjesërisht kërkesat e tyre duke i hedhur kështu disa nga pikat e aktakuzës si: Krimin e organizuar në lidhje me autorizimet në ekonomi për të pandehurit Basri Kqiku, Avdil Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla.
Kundër këtij vendimi ankesë pranë Gjykatës së Apelit, kishte paraqitur prokurori special Agron Bajrami.
Pas analizimit të pretendimeve ankimore, Gjykata e Apelit gjeti se aktvendimi i Gjykatës së Pejës duhet anuluar, pasi që duhet pasur parasysh që lënda është komplekse, ka një numër të madh të të pandehurve dhe se kjo çështje kërkon një trajtim më serioz e më të detajuar, me arsyetime e vlerësime më profesionale të cilat në rivendosje duhet t’i ketë parasysh Gjykata e shkallës së parë.
Pas pranimit të vendimit të Apelit, gjyqtari i çështjes, Sylë Lokaj, më 30 nëntor 2018, vendosi që ta largojë “Krimin e organizuar”, nga aktakuza dhe ta pushojë procedurën penale ndaj të akuzuarve për keqpërdorime në ekonomi.
Po ashtu, tani e tutje, të pandehurit do të gjykohen me Kodin e ri Penal pasi që është më i favorshëm.
Sipas vendimit, në vend të krimit të organizuar, Qemajl Mustafa dhe të tjerët që ishin të akuzuar për krim të organizuar në lidhje me keqpërdorimet e detyrës zyrtare, tani e tutje do të akuzohen për vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare të kryer në bashkëkryerje.
Pas ricilësimit të veprës penale, ndaj 17 të akuzuarve për vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare të kryer në bashkëkryerje, është hedhur aktakuza për shkak të parashkrimit relativ. Kurse përmes këtij vendimi Gjykata e Pejës kishte konfirmuar aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje vetëm ndaj 12 të pandehurve, duke përfshirë ish-kryetarin Mustafa.
Ndërsa përfundimisht në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit vendosi që ta prishë edhe një herë vendimin e Gjykatës së Pejës dhe ta kthejë veprën penale, krimi i organizuar për të gjithë të pandehurit si dhe udhëzoi fillimin e shqyrtimit kryesor.