Ka dështuar seanca ndaj “Burdushit”, prokurorja kërkon që seanca të mbyllet

Hysri Peqani i njohur si “Burdushi”, i cili nga ana e Prokurorisë Speciale po akuzohet për tri vepra penale, ka qenë prezent sërish sot në Gjykatë.

Prokuroria Speciale të njëjtin e akuzon për veprat penale ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, armëmbajtje pa leje dhe shpërlarje të parasë.

Seanca e paraparë për sot, ka dështuar të mbahet për arsye të mungesës së një dëshmitari, i cili gjendet jashtë vendit.

Prokurorja e rastit, Merita Bina-Rugova tha se do të ishte mirë, nëse do bëhej përpjekje që të sigurohet prezenca e dëshmitarëve që gjenden brenda territorit të Kosovës.

“Ndoshta do të ishte mirë, nëse do bëhej përpjekje që të sigurohet prezenca e dëshmitarëve, që gjenden brenda territorit të Kosovës”, tha prokurorja Bina-Rugova.

Ajo po ashtu shtoi se, gjatë dhënies së dëshmisë nga dëshmitarët, të sigurohen që të mos jenë prezent personat nga mediat për shkak të ruajtjes së identitetit të dëshmitarëve.

Ndërsa njëri nga avokatët e Peqanit, Durim Osmani tha se nuk ka nevojë të përjashtohet publiku.

“Sa i përket përjashtimit të publikut, janë 11 dëshmitarë që janë palë të dëmtuara. Aty ka çështje të ndryshme familjare, por asnjëri nga problemet e paraqitura, nuk vendos familjarët e tyre pranë ndonjë turpi”, tha avokati Osmani.

Për shkak të mungesës së dëshmitarit që gjendet jashtë vendit, Gjykata vendosi që seanca e sotme të shtyhet.

Seanca e radhës u caktua për datën 1 qershor, në ora 9:30.

Kujtojmë se për veprat penale të cekura më lartë, Burdushi ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas Prokurorisë që nga vitit 2005 kur Hysri Peqani “Burdushi” ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, “Burdushi” ka përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 euro e deri në 3,000 euro, në total duke përfituar rreth 1 milion euro.

Po ashtu “Burdushi” akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.

Tutje sipas Prokurorisë Speciale Burdushi që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale.

Duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria i ka sekuestruar Burdushit edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.

Ky rast nga Prokuroria Speciale është i shënjestruar si dhe i koduar “mashtrimi”.

Pos këtij rasti, “Burdushit” në Gjykatën e Prizrenit i është vjetërsuar një rast i mëhershëm për vepër penale të mashtrimit.