Jusuf Azemi: Pronarët e bizneseve nuk lejuan testimin e puntorëve për COVID-19

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë se gjendja në këtë sektor është e rëndë pas situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Përmes një konference për media, Azemi ka shprehur shqetësimin në lidhje me kushtet më të cilat po ballafaqohet puntorët e sektorit privat.

Ai ka thënë se ka pasur raste kur puntorët nuk janë lejuar nga pronarët që ta kryejnë testin për COVID-19.

“Gjendja është shumë e rëndë e sektorit privat. Megjithatë një gjendje të përkeqësuar ka bërë largimi i punëtorëve nga puna dhe zvogëlimi i orarit të punës, duke marrë gjysmë page. COVID-19 ka prek një pjesë të madhe të punëtorëve, mbi 70% te punëtoreve teknik dhe të shërbimit janë të prekur. Kemi pasur raste të shpeshte kur punëtorët kanë dyshuar që janë te infektuar, pronarët nuk i kanë leju me e bo testin”, ka thënë ai.

Azemi ka shtuar se puntorët e sektorit privat nuk kanë përfituar asgjë nga ndihma e shtetit.

“Në lidhje me ndihmat nga shteti, kur punëtorët i kanë marrë pagat, në fund ato janë tërhequr nga pronarët. Nëse një punëtor infektohet, nuk e ka stimulimin më të vogël as nga shteti e as nga pronarët”, ka thënë tutje ai.

Kjo sindikatë ka bërë të ditur se kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë që të ketë pagesë shtesë edhe për puntorët e sektorit privat që punojnë si staf teknik, por që një gjë e tillë nuk është pranuar.

Kryetari i kësaj sindikate ka paralajmëruar kolaps duke hedhur fajin edhe mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Këta deputetë po luajnë me fatin dhe ndjenjat e fëmijëve, për pazare politike e lanë shtetin në këtë gjendje. Biznesi më i mirë në këtë kohë është biznesi politik”, tha në fund Azemi.

 

Lista e re e Ministrisë së Shëndetësisë, dyfishohen “komunat e kuqe”

 

Nisin masat e reja të qeverisë pas shpërthimit të COVID-19