Juniku paralajmëron protestë për mbrojtjen e lumit Erenik

Komuna e Junikut u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e protestës për mbrojtjen e lumit Erenik.

Në njoftim thuhet se kjo protestë është organizuar nga kjo komunë, shoqëria civile, organizatat e dala nga lufta dhe bizneset lokale.

Protesta e paralajmëruar do të mbahet të mërkurën, me 17 prill nga ora 11:00 përballë objektit të Komunës së Junikut.

Sipas njoftimit të komunës, kjo protestë do të mbahet kundër vendimeve të kundërligjshme të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe KRU “Gjakova”, të cilët po tentojnë të devijojnë rrjedhën natyrore të Lumit “Erenik”.

E kjo iniciativë sipas tyre, është në kundërshtim me ligjin e Republikës së Kosovës dhe Konventat Ndërkombëtare për ujëra.

“Ju ftojmë të merrni pjesë në këtë protestë për të mbrojtur të drejtën dhe trashëgimin tonë natyrore. Ta mbrojmë Erenikun së bashku.”, thuhet tutje në njoftim.