Presidenti francez, Emmanuel Macron - Foto: REL/AFP

'Ju po poshtëroni Francën!' - Ministri i Jashtëm ukrainas i përgjigjet Macronit pas deklarimit se Rusia 'NUK duhet të poshtërohet'

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, iu kundërpërgjigj Emmanuel Macronit gjatë fundjavës pasi Presidenti francez tha se ishte e rëndësishme të mos poshtërohet Rusia dhe se Franca do të jetë një fuqi ndërmjetëse në luftën në vazhdim.

Mes zemërimit të Kievit dhe aleatëve të tij ndaj komenteve të Macron, Dmitro Kuleba ishte qortues ndaj qëndrimit të presidentit duke thënë se ai “vetëm mund ta poshtërojë Francën”.

Macron ka kërkuar ta mbajë një dialog me presidentin rus Vladimir Putin që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska në muajin shkurt.

Qëndrimi i tij është kritikuar vazhdimisht nga disa partnerë lindorë dhe baltikë në Evropë, pasi ata e shohin atë si minim të përpjekjeve për ta shtyrë Putinin në tryezën e bisedimeve.

“Ne nuk duhet ta poshtërojmë Rusinë në mënyrë që ditën kur luftimet të ndalojnë, ne të mund të ndërtojmë një platformë daljeje me mjete diplomatike”, tha Macron në një intervistë për gazetat rajonale të publikuara të shtunën.

“Jam i bindur se roli i Francës është të jetë një fuqi ndërmjetëse.”

Kuleba reagoi në Twitter duke thënë se “thirrjet për të shmangur poshtërimin e Rusisë mund ta poshtërojnë vetëm Francën dhe çdo vend tjetër që do ta bënte atë.

“Sepse është Rusia ajo që poshtëron veten. Të gjithë më mirë të fokusohemi se si ta vendosim Rusinë në vendin e saj. Kjo do të sjellë paqe dhe do të shpëtojë jetë.’

Macron ka biseduar rregullisht me Putinin që nga pushtimi rus në Ukrainë, si pjesë e përpjekjeve për ta arritur një armëpushim dhe për të filluar me negociata të besueshme midis Kievit dhe Moskës, megjithëse ai nuk ka pasur asnjë sukses të në këtë drejtim.

“Unë mendoj dhe i thashë atij (Putinit) se ai po bën një gabim historik dhe bazik për popullin e tij, për veten dhe për historinë”, tha Macron.

Rusia aktualisht mban në pushtim ushtarak rreth një të pestën e territorit të Ukrainës. Ndërkohë, Ukraina po furnizohet armët më të fuqishme nga Perëndimi./Daily Mail