"Ju po doni me na shti apet m'u vra" - Shpallet vendimi në rastin e vrasjes së kushëririt, familjarët të pakënaqur me dënimin

Familjarët e të ndjerit Sh. R., i cili kishte përfunduar i vrarë pas një fjalosje me kushërinjtë lidhur me prerjen e malit, kanë reaguar të revoltuar pas vendimit të Gjykatës së Prishtinës e cila të akuzuarve Gëzim Rexhepi, Fadil Rexhepi, Muharrem Rexhepi, Bedri Rexhepi u shqiptoi 9 vijet e 2 muaj burgim si dhe dënim me gjobë prej 1000 eurove.

Kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri në shpalljen e datës 02.08.2024 kumtoi se gjykata i kishte gjetur fajtorë Gëzim Rexhepin, Fadil Rexhepin, Muharrem Rexhepin, Bedri Rexhepin lidhur me vrasjen në fjalë.

I akuzuari Gëzim Rexhepi u dënua me një dënim unik me kohëzgjatje prej 5 vitesh.

Përkatësisht, i akuzuari Gëzim Rexhepi u lirua lidhur me veprën penale të rikualifikuar të vrasjes sepse sipas gjykatës e njëjta ishte është kryer në rrethana të mbrojtjes së nevojshme ndërsa për veprën penale vrasje në tentativë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme po ashtu e ricilësuar nga trupi gjykues Gëzim Rexhepi u gjykua me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 vitesh. I njëjti po ashtu u dënua për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe atë me dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj.

“Të akuzuarit Gëzim Rexhepi i shqipton dënim unik në kohëzgjatje prej 4 viteve, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve prej kur aktgjykimi të marr formën e prerë po ashtu në dënimin e shqiptuar i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 31.10.2017 deri më 10.09.2019” – deklaroi kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri gjatë shpalljes më 02.08.2024.

Për veprën penale të vrasjes u shpall fajtor edhe i akuzuari Fadil Rexhepi për të cilën u dënua me 3 vjet burgim, e krahas kësaj fajtor u shpall edhe për mbajtje të paligjshme të armës për çka iu shqiptua dënim me gjobë.

“Për të akuzuarin Fadil Rexhepi për veprën penale vrasje e gjykon me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 viteve në kuadër të të cilit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe masën e arrestit shtëpiak nga data 26.10.2017 deri me datë 27.09.2018 për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve i shqipton dënim me gjobë në shumën prej 1000 euro, në rast se nuk e paguan dënimin me gjobë i zëvendësohet dënimi çdo 20 euro të papaguara i llogaritet një ditë burgim” – kumtoi më tej kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri.

Kurse lidhur me veprën penale të vrasjes u lirua nga dënimi i akuzuari tjetër Bedri Rexhepi pasi sipas gjykatës e njëjta ishte kryer në rrethana të mbrojtjes së nevojshme. Ai u dënua për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj.

“Të akuzuarin Bedri Rexhepi lidhur me veprën penale vrasje lirohen nga dënimi për shkak se e njëjta është kryer në rrethana të mbrojtjes së nevojshme, ndërsa për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj në kuadër të të cilit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 26.10.2017 deri me 27.09.2018” – deklaroi gjyqtari Bahtiri.

I akuzuari i katërt, Muharrem Rexhepi, u shpall fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe u gjykua me dënim me burg në kohëzgjatje prej 8 muajve në të cilin dënim, sipas aktgjykimi të shpallur, do t’i llogaritet koha e kaluar në masën e arrestit shtëpiak dhe në paraburgim.

Në fund gjyqtari Gazmend Bahtiri urdhëroi konfiskimin e dy armëve të ftohta pushkë automatike nga të akuzuarit Gëzim Rexhepi dhe Bedri Rexhepi, në cilësinë e mjetit të kryerjes të veprës penale si dhe detyroi Policinë që të bëjë asgjësimin e tyre.

Të akuzuarit po ashtu, sipas aktgjykimit, do të detyrohen secili veç e veç të paguajnë shumën paushalle prej 500 euro, dhe secili veç e veç shumën prej 50 euro në fondin e kompensimit të viktimave.

Kurse të dëmtuarit Agron Rexhepi dhe Xhavit Rexhepi përmes përfaqësuesit të tyre u udhëzuan për realizimin e kërkesës pasurore të tyre në kontest të rregullt civil.

“Vendim i korruptum, u dekë një njeri aty po doni me na shti apet m’u vra, ju po doni me na shti apet m’u vra…” – reagoi njëri nga familjarët e të ndjerit Sh. R. menjëherë pas përfundimit të shpalljes.

“Ju po doni me na shti apet m’u vra, mos harro Gazmend, mu ke me më gjyku personalisht…” – tha një tjetër familjar i Sh.R.

“Ku m’u anku, te kush? Po ky është si me kanë vëllai i tyre, nana e krimit është ky [drejtuar prokurorit të rastit Armend Hamiti]” – tha një tjetër familjar i Sh.R.

Pas këtyre tensioneve gjyqtari Gazmend Bahtiri urdhëroi Policinë për nxjerrjen e këtyre familjarëve nga salla e gjykimit.

Ky vendim u mor nga trupi gjykues i përbërë nga: Gazmend Bahtiri – kryetar dhe anëtarët: Gëzim Ademi, Alltëne Murseli. Aktgjykimi nuk është i plotfuqishëm, palët e pakënaqura mund ta ankimojnë në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh.

Cilat janë pretendimet e prokurorisë?

Sipas aktakuzës së ngritur më 22.05.2018, i dëmtuari Sh.R. së bashku me vëllanë e tij, tani të pandehurin Muharrem Rexhepi dhe të akuzuarin Fadil Rexhepi, të armatosur kanë shkuar në shtëpinë e të pandehurve Gëzim, Bedri dhe Pajazit Rexhepi më 26.10.2017.

Sipas Prokurorisë, në këtë datë kanë filluar një fjalosje për çështjen e prerjes së malit. Në aktakuzë thuhet se në ato momente i pandehuri Bedri Rexhepi e sulmoi fillimisht të ndjerin me grushte dhe kondak të revoles. Sipas organit të akuzës, Gëzim Rexhepi ishte nisur në drejtim të tyre, pasi që i njëjti në ato momente ishte në ardhur duke u kujdesur për bagëtitë, me pushkë automatike ksihte shtënë në drejtim të tashmë të ndjerit Sh.R., dhe të pandehurve Muharrem dhe Fadil Rexhepi. Nga kjo gjuajtje, një plumb e kishte goditur tani të ndjerin Sh.R., me ç’rast gjeti vdekjen, kurse Fadil Rexhepi mbeti i plagosur.

Për këto veprime i pandehuri Gëzim Rexhepi nga Prokuroria akuzohet për vrasje dhe për veprën penale vrasje në tentativë, si dhe për armëmbajtje pa leje. Në këtë përleshje, sipas Prokurorisë, vëllai i tanimë të ndjerit Sh.R., Muharrem Rexhepi, nga hakmarrja e paskrupullt me qëllim të privimit nga jeta me armë kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarit Xhavit Rexhepit, duke e goditur në dorën e djathtë.

Me këtë veprim Muharrem Rexhepi akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Gjithnjë sipas aktakuzës, në përleshje e sipër Fadil Rexhepi e kishte goditur me grushte të pandehurin Bedri Rexhepi, e më pastaj me qëllim që ta privojë nga jeta kishte shtënë në drejtim të Xhavit Rexhepit duke e goditur me plumb pas shpine, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Me këtë Fadil Rexhepi ngarkohet nga Prokuroria për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Kurse i pandehuri tjetër Bedri Rexhepi akuzohet për vrasje në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje, pasi sipas Prokurorisë në momentin kur ishte sulmuar nga Muharrem dhe Fadil Rexhepi, kishte arritur të ikte dhe të merrte një armë në ahurin që gjendej afër dhe ka shtënë në drejtim të Muharrem Rexhepit.