Foto: Reuters/REL

Jordani: Mijëra persona kundërshtojnë planin për paqe të ShBA-së

Mijëra persona kanë protestuar të premten në kryeqytetin e Jordanisë, Aman kundër planit për paqe në Lindje të Mesme të presidentit amerikan, Donald Trump.

Duke bërtitur “Vdekje Izraelit” rreth 3 mijë persona kanë marrë pjesë në protesta, të cilat kanë nisur para xhamisë, Al-Husseini Mosque, në prezencë të madhe të forcave të sigurisë, transmeton agjencia e lajmeve, AFP.

Protestuesit kanë mbajtur flamuj jordanezë e palestinezë bashkë me mbishkrimet “Jordania kundërshton marrëveshjen e shekullit”.

Jordania është një nga dy shtetet arabe, bashkë me Egjiptin, që kanë marrëveshje për paqe me Izraelin dhe pjesa më e madhe e popullsisë së shtetit ka orgjinë palestineze.

Shtetet e Bashkuara kanë prezantuar të martën planin për paqe, që parasheh zgjidhje me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez, derisa Jerusalemin e sheh si kryeqytet të pandarë të Izraelit.

Palestinezët në anën tjetër duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqytet i shtetit të tyre në të ardhmen./REL