Boris Johnson - Foto:Boris Johnson Facebook

Johnson: Njohja e rajoneve separatiste të Ukrainës nga Putin - shkelje e ligjit ndërkombëtar

Njohja e rajoneve separatiste të Ukrainës lindore nga presidenti rus Vladimir Putin është një shkelje e ligjit ndërkombëtar, tha kryeministri britanik Boris Johnson.

Zoti Johnson po fliste, ndërkohë që zoti Putin nënshkroi dekretin për njohjen e tyre.

“(Ky veprim) është qartazi në shkelje të ligjit ndërkombëtar. Është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës”, tha zoti Johnson në një konferencë shtypi.

“Është një refuzim i procesit të Minskut dhe marrëveshjeve të Minskut, dhe mendoj se është një ogur shumë i keq dhe një sinjal shumë i zymtë”, tha ai.

Kryeministri britanik tha se do të bisedojë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy të hënën dhe do të ofrojë mbështetjen e Britanisë.

Më herët Bashkimi Evropian kishte paralajmëruar për sanksione nga blloku me 27 vende nëse Moska aneksonte ose njihte rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.

“Nëse ka njohje, unë do të vendos temën e sanksioneve në tryezë dhe ministrat do të vendosin,” tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell pas një takimi të ministrave të jashtëm.

Në fillim të kësaj jave, zyrtarët amerikanë dhe evropianë thanë se SHBA-ja dhe aleatët nuk ishin plotësisht në një mendje se si të përgjigjeshin në rast të rritjes së mbështetjes për separatistët pro-rusë./VOA