Ish-nënpresidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Joe Biden: Mendoj që George Floyd do ta ndryshojë botën

Kandidati për president i Partisë Demokratike në ShBA, Joe Biden ka thënë se i ndjeri George Floyd do të “ndryshojë botën”.

Pas një takimi me familjen e Floyd në Houston, Biden tha për CBS se vdekja e tij ishte “një nga kthesat më të mëdha të historisë amerikane”, raporton BBC.

Vrasja e afro-amerikanit George Floyd në duart e një oficeri të bardhë ka nxitur protesta globale.

Një shërbim privat funerali do të mbahet në Houston më vonë gjatë ditës së sotme.

Biden ka kritikuar ashpër presidentin Donald Trump, i cili është kandidati Republikan që tenton të rizgjidhet në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Çfarë tha Biden për familjen e Floyd?

“Ata janë një familje e mrekullueshme. Vajza e tij e vogël ishte atje, ajo që tha se ‘babi do të ndryshojë botën’ dhe unë mendoj se babi i saj do të ndryshojë botën”, tha Biden për CBS.

“Unë mendoj se ajo që ndodhi këtu është një nga kthesat më të madha të historisë amerikane, me të vërtetë, për sa i përket lirive civile, të drejtave civile dhe trajtimit të njerëzve me dinjitet.”

Derek Chauvin, ish-polici i Minneapolis i akuzuar për vrasjen e Floyd, bëri paraqitjen e tij të parë në gjyq të hënën, ku lirimi me kusht u caktua në vlerë 1.25 milion dollarë.

Chauvin, i cili mbajti gjurin në qafën e Floid për gati nëntë minuta – përballet me akuza për vrasje të shkallës së dytë. Tre oficerë të tjerë të arrestuar akuzohen për ndihmë dhe inkurajim të vrasjes.

Protestat kundër racizmit kanë filluar me vdekjen e Floyd dhe tani po hyjnë në javën e tyre të tretë në ShBA. Mitingje të mëdha janë mbajtur në disa qytete, përfshirë Uashington DC, New York, Chicago, Los Angeles dhe San Francisco.

Me sloganet “Jeta e njerëzve me ngjyrë vlen” dhe “Nuk Ka Drejtësi, Pa Paqe”, protestat janë ndër më të mëdhatë në ShBA kundër racizmit që nga vitet ’60.