Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë deklarimit për media të huaja në Budapest.

“Jo, zakonisht nuk takohemi”, Osmani u përgjigjet gazetarëve të huaj nëse do të takohet me Vuçiqin

Presidentja Vjosa Osmani po e përfaqëson Kosovën në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Budapest të Hungarisë.

Në nisje të Samitit, ajo u pyet nga gazetarët e huaj nëse do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe përgjigjja e saj ishte negative.

“Jo, zakonisht ne nuk takohemi. Siç e dini, Kosova dhe Serbia takohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Diskutimet vazhdojnë në Bruksel mes kryenegociatorëve, kryesisht në atë se si mund të ecim përpara me implementimin e marrëveshjeve që janë arritur” – iu përgjigj ajo gazetarëve më 07.11.2024.

Ndërsa në pyetjen se si e sheh fitoren e kandidatit republikan Donald Trump në SHBA, Osmani tha se Kosova ka pasur përkrahje dypartiake amerikane.

“Kosova ka pasur mbështetje dypartiake amerikane që në fillim të viteve ’90. Jemi të bekuar me këtë përkrahje dhe për këtë arsye, kemi çdo arsye të besojmë se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe tani me administratën [e re] Trump”- tha Osmani.

E para e vendit tha se menzi pret që në fund të këtij Samiti të kenë rezultate produktive.

“Por, edhe të kërkoj përkrahjen e tyre për integrimin euroatlantik të Kosovës“- u shpreh  Osmani.

Ajo tha se gjatë Samitit do të jap kontribut të “vogël”, por “të rëndësishëm”.

Osmani është pritur nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Ajo e ka falënderuar shefin e qeverisë hungareze për mikpritjen në kuadër të Samitit.

Në Samitin në Budapest, presidentja Osmani bashkë me liderët e tjerë do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë në Europë të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, si dhe për sfidat e migracionit dhe ato ekonomike.

Përveç këtyre, siç ka njoftuar Presidenca, Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare si dhe do të mbajë dy fjalime: njërin në seancë plenare dhe tjetrin në tryezën punuese për sigurinë ekonomike.

Presidenca ka njoftuar se në kuadër të Samitit, Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë europianë.

Në takimin e Komunitetit Politik Europian, udhëheqësit do të diskutojnë rreth sfidave të sigurisë së Europës, duke përfshirë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, përshkallëzimin e vazhdueshëm të situatës në Lindjen e Mesme, migrimin e parregullt, si dhe çështjet që lidhen me sigurinë ekonomike, energjinë, transportin, IT-n dhe tregtinë globale.