Dalibor Jevtiq | Foto: BIRN

Jevtiq thotë se Albin Kurti e ka obligim të flasë me Listën Serbe

Zyrtari i lartë i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq ka thënë se kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, e ka obligim të flas me partinë që ai përfaqëson para se ta formojë kabinetin qeveritar.

Ai ka përmendur edhe nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës i cili e parasheh pjesëmarrjen e minoritetit serb në institucionet e vendit.

“Ajo që është realitet është Kushtetuta e Kosovës, neni 95 është i qartë në këtë aspekt. E kemi dëgjuar atë që ka thënë zoti Kurti por këtu në aspektin ligjor është parashikuar që ai që duhet të jetë i mandatuar për kryeministër ka detyrim të bisedojë me të gjitha partitë politike që kanë hyrë në Parlamentin e Kosovës dhe në këtë aspekt nuk e kam kuptuar për atë që ka folur Kurti, që ai nuk do të flasë me Listën Serbe, sepse nuk është përzgjedhje nëse ju e doni apo jo ju dikë, në politikë nuk ka dashuri por është detyrim ligjor”, ka thënë ai në një intervistë në televizionin Klan Kosova.

“Ne duam të jemi të respektuar dhe të trajtuar si populli serb në Kosovë sepse polli serb në Kosovë i ka përzgjedhur në mënyrë të qartë dhe në mënyrë apsulute, pa marr parasysh çfarë mendoni ju në raport me ta”, ka thënë Jevtiq.

Ai e ka pranuar se koordinimi i Listës Serbe është me Beogradin zyrtar.

“Ne me Beogradin kemi një bashkëpunim të plotë dhe në esencë çdo gjë e bëjmë në koordinim, natyrisht”, tha Jevtiq.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që pritet të jetë mandatari i Qeverisë së re ditë më parë deklaroi se me Listën Serbe nuk do të bëj koalicion ndonëse një ministër nga kjo parti do të jetë në ekzekutivin kosovar.

“Ne do ta respektojmë kushtetutën por nuk kemi nevojë për një koalicion me Listën Serbe,” tha Kurti për televizionit TV Prva. “Ne duhet të kemi të paktën një ministër serb”, kishte thënë Albin Kurti.

Albin Kurti përballet me realitetin e politikës serbe

www.kallxo.com