Jeton Neziraj fiton Çmimin e parë 'Katarina Josipi' për Dramën Origjinale Shqipe
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka mbajtur të enjten, më 14.11.2024, ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”.
Drama “Udhëtimi i familjes Muller në Unmikistan” e Jeton Nezirajt ka fituar Çmimin e parë. Kjo vepër përshkruan tema komplekse të jetës në Kosovë dhe angazhimin për trajtimin e tyre përmes artit.
Çmimin e dytë e mori Astrit Kabashi për dramën “Fridrih Fluturaku”, kurse çmimi i tretë i është dhënë Rinor Vitisë, për dramën “Zelus”.
Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, i cili ua dorëzoj çmimet fituesve dhe vlerësoi tekstet dramatike fituese të konkursit, duke shtuar se një rregullore e re për çmimet vjetore në kulturë është duke u hartuar.
“Aktualisht është duke u hartuar rregullorja e re për çmimet vjetore në kulturë, pasi një prej gjëra me të mira të kësaj ministrie ka qenë dhënia e këtyre çmimeve, por tani është momenti që për të korrigjuar dhe për të parë kategoritë të reja për t’i përfshirë për të marr çmime”- tha ministri Çeku.
Ndërkaq, fituesit e çmimeve thanë se duhet më shumë përkushtim dhe mbështetje për krijuesit e dramës origjinale shqipe.
Juria për vlerësimin e çmimeve përbëhej nga Fadil Hysaj, Kushtrim Koliqi, Bislim Muqaj, Kushtrim Mehemeti dhe Zoga Çeta Çitaku.